Zyrtarja e lartë përplaset me qytetarët: Mos më thuaj mua nuk shikon

Zyrtarja e lartë përplaset me qytetarët: Mos më thuaj mua nuk shikon

Qytetarët e pastrehë, që kanë përfituar nga projekti i banesave sociale në Fier, kanë hyrë në to që prej muajit Shtator.

Por këto ditë, reshjet kanë hyrë brenda shtëpive të tyre, për herë të dytë.

Gazetarja e “Stop” vëzhgoi situatën dhe komunikoi me inxhinieren e “Entit të Banesave”, Eleonora Gjeka dhe drejtoreshën Lindita Çobo.

Në fillim zonja Çobo tentoi të mohojë situatën, por pasi shkoi në terren me gazetaren, premtoi zgjidhje.

Në redaksinë e emisionit “Stop” mbërritën disa video nga qytetarë, ku shfaqen banesat sociale të përmbytura.

Gazetarja iu drejtua Fierit për të komunikuar me disa banorë, të cilët kanë marrë banesa sociale me kredi të butë nga Bashkia Fier, për shkak se nuk kishin strehim. Ky është dimri i parë që kalojnë në këto shtëpi, por eksperienca ka qenë negative.

“Unë do t’i lutesha shumë Bashkisë dhe inxhinieres të vijnë të shikojnë se nga i futet uji kësaj shtëpie. Ne jemi nga ata që s’do paguajmë asnjë lekë derisa të na vijë në ndihmë shteti”, u shpreh një banore.

Lindita, një tjetër banore e prekur nga ky problem, tregon shtëpinë e saj, duke thënë: “Pllakat tregojnë vetë historinë e ujit, që ka hyrë brenda. Janë ujë akoma dhe janë të dukshme shenjat e lagështirës. Direkt dyshova te tualeti, ndonjë tubacion a ndonjë gjë, por jo, ishte e thatë. Këtu jemi te ballkoni. Këtu gjithë uji rri këtu e nuk shkon në piletë sepse pedenca e ballkonit është bërë përballë sallonit, jo drejt piletës. Ky uji që rri këtu, futet brenda. Përveç kësaj, po më prishen edhe mobiljet!”