Vazhdojnë protestat, banorët: Nga shtëpitë na nxirrni vetëm të vdekur

Banorët që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës, në zonën e Stacionit të Trenit, kanë bllokuar sot rrugën, për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre. Ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur fadromat, për shembjen e 10 banesave të para, banorët janë grumbulluar në krye të rrugës, duke u shprehur të vendosur të mos lejojnë nisjen e punës. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, një grua është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.

Përfaqësuesi i banorëve, Pirro Demiraj tha se qytetarët kërkojnë hakun e tyre, por institucionet i kanë veshët të shurdhët.

“Jemi duke zbatuar mosbindjen civile. Çfarë na solli deri këtu, ishte një mosdëgjim nga instancat e shtetit shqiptar. Ju lutemi ambasadave edhe njëherë shpejtoni pak, mësojini këta njerëz të zgjidhin hallet e popullit. Po strehoni muhxhahedinë, njerëz në nevojë, ne na lini në shtëpitë tona. Kjo është një punë e dobët e Bashkisë. Të na japin hakun tonë që na takon. I kemi dhënë zgjidhje, bërjen e pallatit, por i kanë veshët të shurdhët.”- deklaroi Demiraj.

Sipas banorëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk e ka pranuar kërkesën e tyre për ndërtimin e një pallati për këta banorë buzë bulevardit të ri që do ndërtohet. Ndaj sipas banorëve, e vetmja zgjidhje për ta
është mosbindja civile.

“Është çmenduri që në demokraci të të nxjerrin me zor nga shtëpia. Jemi autoktonë, kemi lindur e po plakemi në këto shtëpi. Në rrugë nuk dalim kurrë. Protestë mosbindjeje civile, le të bëhet masakër”, – kanë thënë banorët.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës u ka lënë pesë ditë afat 10 familjeve të tjera që u kanë shkuar letrat për të liruar banesat pasi do iu shemben shtëpitë për t’i hapur rrugën projektit për ndërtimin e bulevardit verior të Tiranës dhe rehabilitimit të Lumit Tirana.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *