Spiunët mbushin administratën në Shqipëri, institucionet ku duhet pasur “kujdes”

Spiunët mbushin administratën në Shqipëri, institucionet ku duhet pasur “kujdes”

Që nga data 1 korrik i vitit 2017 spiunët kanë ‘pushtuar’ zyrat e shtetit dhe kompanitë private, në kuadër të zbatimit të ligjit të sinjalizimit të korrupsionit.
Vetëm në pak muaj, 7 institucione publike, në nivel qendror dhe vendor, janë spiunuar nga punonjësit e tyre, për praktika abuzive.

Bilanci pasqyrohet në raportin vjetor të ILDKPKI, institucion ky i ngarkuar për zbatimin e ligjit të sinjalizuesve. Ky ligj është miratuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve si një ndër kushtet për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, gjatë vitit 2017, ka pasur sinjalizime brenda Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Bashkisë së Tiranës, Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Bashkisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Inspektorati i Lartë gjatë vitit raportues në ushtrim të kompetencave ligjore, si mekanizëm i jashtëm raportimi për sinjalizimin dhe kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja, ka regjistruar dhe trajtuar në total 8 raste sinjalizimi dhe 1 rast kërkese për mbrojtje të ardhur nga sektori publik. Në lidhje me rastet e sinjalizimit, denoncimet kanë qenë si më poshtë vijon: 4 raste është pretenduar për shkelje të detyrimeve ligjore për konfliktin e interesit; 3 raste është pretenduar për shkelje ligjore në procedurat e tenderimit; 1 rast është pretenduar për shkelje në dhënien e vendimeve gjyqësore dhe falsifikim dokumentacioni në proceset gjyqësore”, thuhet në raport.

Masat e marra
ILDKPKI pasqyron në raport edhe masat e marra pas sinjalizimeve.

“Në përfundim të hetimit administrativ, për zyrtarët e gjetur në shkelje të parashikimeve ligjore të ligjit nr. 9367/2005, i ndryshuar, është marrë masa administrative me “gjobe”, si dhe është kërkuar dhe është zgjidhur konflikti i interesit në përputhje me parashikimet ligjore. Kështu, janë aplikuar 3 masa administrative me “gjobë” ndaj zyrtarëve për shkelje të ligjit nr. 9367 /2005, i ndryshuar, si dhe është zgjidhur konflikti i interesit me largimin nga detyra të zyrtarëve që kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesit.

Gjithashtu, ILDKPKI për rastet e tjera të sinjalizuara, pas hetimit administrativ ka vënë në dijeni organin kompetent sipas problematikes se ngritur nga sinjalizuesit, si vijon: “Njoftim pranë KLSH për auditim të fondeve publike; Njoftim për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Njoftim Komisionit të Pavarur të Kualifikimit; Njoftim titullarit të autoritetit publik qendror për marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës”..

Sektori publik
163 njësi spiune janë ngritur në zyrat e administratës publike, ndërsa 446 njësi në kompanitë private. Këto njësi raportojnë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konstatonte për rastet e korrupsionit brenda zyrave të shtetit si dhe në sektorin privat.

“Në vijim, ILDKPKI vendosi kontaktet përkatëse për ngritjen e njësive përgjegjëse dhe raportimin e tyre pranë Inspektoratit të Lartë. Me mbledhjen e informacionit të dërguar nga autoritetet publike, ILDKPKI përfundoi procesin e hartimit të regjistrit kombëtar të njësive përgjegjëse në autoritetet publike, në të cilin janë pasqyruar të dhënat dhe funksioni i personave të ngarkuar për të zbatuar ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Nga të dhënat statistikore rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 163 njësi përgjegjëse në sektorin publik”, thuhet në raportin e ILDKPKI.

Sektori privat
Që nga 1 korrik e 2017 janë ngritur njësitë spiune edhe në sektorin privat. “Ndërsa, duke filluar nga 1 korrik 2017, me fillimin e efekteve ligjore për sektorin privat, ILDKPKI koordinoi punën me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të identifikuar në sektorin privat organizatat të cilat kishin të punësuar mbi 100 punonjës, për të vendosur kontaktet përkatëse për ngritjen e njësive përgjegjëse dhe raportimin e tyre pranë Inspektoratit.

Me mbledhjen e informacionit të dërguar nga institucionet private, ILDKPKI përfundoi procesin e hartimit të regjistrit kombëtar të njësive përgjegjëse në sektorin privat, në të cilin janë pasqyruar të dhënat dhe funksioni i personave të ngarkuar për të zbatuar ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Nga të dhënat statistikore rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 446 njësi përgjegjëse në sektorin privat”, vijon raporti./Shqiptarj.com