Shkrihet komisioni rrugor, gjobat ankimohen direkt në gjykatë

Organi Administrativ Shtetëror, apo siç njihet ndryshe Komisioni i Policisë Rrugore, do të shkrihet.

Një grup pune i përbërë nga specialistë të uniformave blu dhe atyre të Ministrisë së Transporteve, pritet të nisin së shpejti punën për ndryshimet e nevojshme në Kodin Rrugor.

Sipas ekspertëve, shkrirja e këtyre komisioneve që janë kthyer në makth për qytetarët, është një vendim i vonuar në kushtet kur gjykatat administrative kanë më shumë se tre vjet që funksionojnë.

“Unë mendoj që është një pozitivitet dhe qytetarët nuk do të sorollaten më, e mbi të gjitha nuk do të interpretojë një oficer që ka mbaruar shkollën e rendit, ligjin që është tagër ligjor i juristit, gjyqtarit, prokurorit. Risia e heqjes së këtij komisioni dhe vendosjes që të gjitha problemet shkojnë në gjykatën administrative heq ndikimin që një masë që e ka marrë polici rrugor, vete te shefi i tij dhe vendos edhe ai kështu. Tani largohemi drejt kësaj dhe nëse qytetarit i takon, e fiton atje”, thotë për “Top Channel”-in Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore.

Shkrirja e komisioneve do t’u japë një rol kyç efektivëve të policisë rrugore në terren. Me kodin aktual ata nuk mund të vendosin gjobë në vlerën më shumë se pesë mijë lekë, ndërsa masa e pezullimit të patentës është atribut i OASH-ve.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *