Romët shpërthejnë kundër Blushit: Kërko falje publike, je racist

Komuniteti i Egjiptianëve të Shqipërisë ka bërë një peticion në të cilin dënon gjuhën raciste të Ben Blushit ndaj tyre.

Në peticionin që u është dërguar institucioneve kryesore në vend dhe atyre evropiane, thuhet se Komuniteti i Egjiptianëve të Shqipërisë “është mjaft i indinjuar nga gjuha e urrejtjes, dhe diskriminimi i hapur që Z. Ben Blushi përdori në publik, në takimin e tij me qytetarët e Elbasanit në ditët e para të muajit Mars. Me anë të gjuhës së urrejtjes së pa kontrolluar të Z. Blushi u fyen më shumë se të gjithë dhe në mënyrë të veçantë Minoriteti i Egjiptianëve të Shqipërisë. Ne si komunitet shquhemi për bashkëpunimin dhe ndërtimin e shtetit Shqipëtar, që prej themelimit të saj e deri në ditët e sotme.

Ne kemi vlerat tona të pa kontestueshme, dhe si të tillë nuk meritojmë diskriminimin si formë të shpërblimit nga mazhoranca e aq më keq kur përdoren terma me ngarkesë emocionale nga pushtetarët, siç bëri Z. Blushi në Elbasan duke u shprehur turpshëm: “Çiftja e Jevgut”, “Ik o Çifte”. Këto dhe të tjera sjellje të ngjashme nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse ulin moralin dhe dinjitetin e Minoritetit të Egjiptianëve të Shqipërisë, nga ana tjetër edhe krijojnë mosbesim ndaj deputetëve të cilët i kemi votuar.

Fjalori ofendues i Z. Blushi ka krijuar një indinjatë të thellë jo vetëm tek Minoriteti ynë por tek të gjithë Shqiptarët. Fatkeqësisht sjelljen e Z. Blushi e kanë shfaqur edhe personalitete të tjerë të kësaj partie dhe jo vetëm, e cila po përdoret shpesh nga deputetët të cilëve brenda tyre vepron e pandërgjegjshmja.

Mllefet apo problemet brenda ç’do partie nuk duhet të jenë shkak për të ofenduar individë ose minoritete siç është ai i Egjiptianëve apo i Romëve. Ç’do politikan duhet të mendojë mirë para se të flasë apo të shfryjë mllefin e akumuluar, sepse shkel dhe përligj të drejtat e pakicave kombëtare, të drejta të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe ligji për mbrojtjen nga diskriminimi Nr 10 221, datë 04.02.2010“

Ndaj, të gjitha Ne shoqatat që përfaqësojmë të drejtat dhe liritë e komunitetit Egjiptian të Shqipërisë, kërkojmë që:

Z.Ben Blushi të kërkojë falje publike ndaj Minoritetit të Egjiptianëve të Shqipërisë”, përfundon peticioni.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *