Provimet e maturës, 370 ngelën, 7.400 marrin notën 10

Provimet e maturës, 370 ngelën, 7.400 marrin notën 10

Rreth orës 12.00 në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) u publikuan rezultatet e provimit të parë të detyruar, të gjuhës së huaj. Rreth 37 mijë maturantë dhe ish maturantë e mësuan notën e provimit në ditën e fundit të afatit të parashikuar në rregullore, 2 javë nga data e testimit.

Burime nga Qendra e Shërbimeve Arsimore thonë për Top Channel se nga të dhënat e përpunuara, 1 orë pas bërjes publike të notave, rezulton se nga 37 mijë maturantë, vetëm 7400 kanë marrë notën 10, pasi janë vlerësuar me 45-50 pikë që ka testi në total. Ndërkohë, po sipas të dhënave të QSHA-së, rreth 37 mijë maturantë janë kalues, ku përfshihen edhe ata me notën 5, 6, deri tek 9-a.

Ndërsa 1% e 37 mijë kandidatëve, pra 370 nxënës janë mbetës, që në çdo rast nuk do të kenë të drejtë ankimimi. Këta 370 maturantë humbasin kategorikisht të drejtën për të ndjekur studimet e larta, edhe nëse arrijnë të jenë kalues në provimin e letërsisë dhe matematikës. Ekspertët e arsimit thonë për Top Channel se shpërndarja e notave kaluese dhe të mira edhe këtë vit është normale, dhe thuajse me të njëjtin trend si vitet e kaluara, pasi bëhet fjalë për nivelin B1 të gjuhës së huaj, njohuri mesatare që i zotëron pjesa më e madhe e gjimnazistëve.

Fakt, që e dëshmon edhe numri i kandidatëve që kanë aplikuar për të studiuar jashtë Shqipërisë, që mesatarisht arrin në 6000-7000 nxënës. Provimet e fundit, ato që do të përcaktojnë përfundimisht fatin e maturantëve janë ato me zgjedhje, që do të mbahen më 20 qershor. Ndërkohë, në pritje të rezultateve të provimit të dytë, letërsisë dhe gjuhës shqipe, sipas rregullores do të publikohen në datat 21 deri në 22 qershor./
Top Channel