Pa asnjë zgjidhje! Ahmetaj-minatorëve: Do ishte mirë të merreshit vesh me njëri-tjetrin

Pa asnjë zgjidhje! Ahmetaj-minatorëve: Do ishte mirë të merreshit vesh me njëri-tjetrin

Është bërë rutinë tashmë që të gjitha shqetësimet e qytetarëve të adresohen online, ndryshe ta harrojnë zgjidhjen.

Kjo ka ndodhur edhe sot teksa kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga dy ministrat e tij, Ahmetaj dhe Gjiknuri, kanë dëgjuar në një konferencë ‘’live” shqetësimet e një grupi të minatorëve, statusi i të cilëve mbetet ende i pazgjidhur.

Edhe pse i shoqëruar nga ministrat që do të duhet të ishin zotër të fushave të tyre, përpara minatorëve nuk u shtrua asnjë zgjidhje, madje-madje, u shfrytëzua pika e dobët e tyre, ndarja në grupime.

Për ministrin e financave Arben Ahmetaj statusi do të formulohet atëherë kur të gjitha sindikatat të jenë me një mendje, duke shumëzuar me zero rolin e ministrisë si një rregullatore.

“Do të ishte mirë që të kishte një dakordësi nga të gjithë sindikatat e minatorëve. Paketa sociale e qeverisë ka qenë solidare brenda mundësive të buxhetit. Rimbursimet janë rritur me 30 përqind, e cila është shumë e rëndësishme edhe për ata që nuk janë të siguruar”, tha Ahmetaj në konferencë.

Nga ana tjetër kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se ka një ngërç në pensione për ata që kanë dalë në pension para reformës.

“Jemi në kushtet kur ka një dialog mes qeverisë dhe grupeve e sindikatave të minatorëve. Kem të gjithë gatishmërinë dhe gjithë fleksibilitetin e duhur për të avancuar deri aty ku e mban buxheti dhe interesi i përgjithshëm. Një gjë që e kam theksuar edhe më parë.

Ne kemi bërë jo pak edhe pse nuk është mjaft. Sot, sektori është ndryshe nga sa ishte. Kemi investime serioze, ndryshime serioze në interes të minatorëve. Kemi edhe disa investime që hapin rrugën për përpunimin në vend të mineraleve. Kemi bërë një reformë pensionesh, e cila ka hapur një perspektivë të re për të gjithë minatorët që dalin në pension. Këtu jemi në një ngërç për ata që kanë dalë në pension para reformës. Ata që janë në pension para reformës tonë, paguajnë pasojat e mungesës së kurajës për të reformuar pensionet.

Sot, kemi një sistem pensionesh të reformuar dhe çdokush del sot në pension ka një pension të ndryshëm nga tjetri që ka pasur në punë. Ne jemi shumë të interesuar për rritjen e pagës minimale. Jemi shumë të interesuar edhe për skemën e prezantuar sot nga ju. Ka një kosto, por kostot unë besoj duhet t’i shohim bashkërisht, sepse Fiqiriu është me laps në dorë dhe ministrat po ashtu dhe jo të gjithë lapsat kanë një fund”, tha Rama.

Kështu edhe konferenca e sotme e Ramës, ministrave dhe minatorëve rezultoi pa asnjë zgjidhje, ndërsa sindikatat nesër do të kenë një marshim përpara kryeministrisë.

Vetëm në muajt e fundit ka pasur një sërë aksidentesh në miniera, ndërkohë që statusi për këtë kategori personash mbetet ende pa asnjë zgjidhje finale.

Në një vëzhgim statistikor të ftohtë çdo muaj në galeritë e nëntokës ndërpritet një jetë në mes, ose në rastin më të mirë dikush ja hedh paq me ndonjë lëndim. Deri kur minatorët e të gjitha kohërave të bëhen bashkë, zgjidhja do të gjendet me ”sytë nga qielli”./Faxweb