Miratohet paketa fiskale. Ja taksat që do paguajnë bizneset në Tiranë

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton ndryshimin e paketës fiskale vetëm me votat e mazhorancës. Njëkohësisht me ndryshimin e nivelit të taksës së hapësirës publike bashkia ka miratuar edhe hartën e re dhe ndarjen e Tiranës në disa zona.

Në vendimin e miratuar dje, bashkia kishte kërkuar heqjen e tarifës për vendosje tavoline në hapësirat publike në muaj, me qëllim ekuilibrimin e ngarkesës së shtuar fiskale nëpërmjet aplikimit të tarifës së re për zënien e hapësirës publike. Nivelet e tjera të tarifës së pastrimit sipas kategorive të llojeve të biznesit mbeten të pandryshuara. Po ashtu, bashkia propozoi ngushtimin e zonës A, ku do të aplikohet tarifa më e lartë për zënien e hapësirës publike 1.500 lekë/m2 në muaj, ndërsa pjesa tjetër e zonës A kthehet në zonë B me gjysmën e çmimit, pra me 750 lekë/m2 në muaj.
Ndërsa zona C, e cila përfshin ish-vijën e verdhë të Tiranës, do vijojë të ketë atë tarifë që ka
pasur më parë, pra 400 lekë për çdo metër hapësirë publike të zënë në muaj.

Gjithashtu, sa u përket detyrimeve për muajin janar dhe shkurt 2016 në lidhje me tarifën për zënien e hapësirave publike, Bashkia e Tiranës mori në konsideratë kërkesat e përfaqësuesve të biznesit, duke mos i aplikuar deri më datë 1 mars 2016, dhe të vijojë me nivelet e mëparshme të zënies së hapësirës publike vetëm për këto dy muaj. Për janarin dhe shkurtin, detyrimi do jetë me nivelin e vjetër të tarifimit, pra 150 lekë/m2.

Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Në ndryshimet e miratuara dje në mbledhjen e këshillit ka qenë dhe ulja e kësaj takse për 13 njësitë bashkiake të Tiranës. Në paketën e mëparshme fiskale, nëse Dajti, Farka dhe Kashari ishin trajtuar si pjesë e 11 njësive ekzistuese të Tiranës, në ndryshimin që u ka bërë bashkia këtyre taksave rezulton se ulja për këto tri njësi është 10-fish më pak sesa ishte miratuar në 30 dhjetor 2015. Pra taksa e kalimit të pronësisë për njësitë administrative Dajt, Kashar dhe Farkë nuk do të jetë 1.000 lekë/m2, por 100 lekë/m2. Po ashtu edhe njësitë Kashar, Bërzhitë, Baldushk, Vaqar, Petrelë, Pezë, Ndroq, Krrabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall- Bastar, të cilat në paketën e mëparshme e kishin këtë taksë 700 lekë/m2, me ndryshimin që u bë do ta kenë 100 lekë/m2. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *