Konfirmohet takimi i Ramës me Gunvor/ Kompania i akuzoi për mashtrim, SYRI.net publikon deklaratën e DASH

Konfirmohet takimi i Ramës me Gunvor/ Kompania i akuzoi për mashtrim, SYRI.net publikon deklaratën e DASH

Një investigim i para pak ditëve nga SYRI.net, që zbuloi se kryeministri Rama ka pritur në zyrën e tij shefin e grupit Gunvor ku është biseduar për të kaluar naftën shqiptare në duart e kësaj kompanie është konfirmuar zyrtarisht. Jo nga qeveria e Shqipërisë, e cila ka heshtur për lajmin, por nga vetë gjiganti energjetik Gunvor, i cili megjithatë në përgjigjen zyrtare pretendon se artikulli i ynë është i mbushur me gënjeshtra.

“Kryeministri Edi Rama dhe CEO i Gunvorit Torbjorn Törnqvist nuk kanë pasur “biseda sekrete” për nxjerrjen e ” naftës shqiptare”. Kjo është krejtësisht e rreme.”- thuhet në e-mailin e Gunvor për SYRI.net.

Por SYRI.net, i quajti sekret negociatat, pasi takimi i kryeministrit nuk u njoftua siç ndodh me të gjitha takimet që shefi i qeverisë bën me personalitete të ndryshme, por u mbajt sekret. Për të nuk u shpërnda asnjë njoftim zyrtar, dhe lajmi nuk do të ishte marrë vesh nëse nuk do të publikohej nga SYRI.net.

Pyetja që shtrohet është pse u mbajt sekret ky takim?

Reagimi dhe faktet

Në reagim, Gunvor akuzon SYRI.net se ka mashtruar kur pretendon se kompania Gunvor është e lidhur me presidentin rus Putin përmes aksionerit të saj Genady Timcghenko. “Gunvor nuk është “rus” dhe presidenti rus Putin nuk ka të bëjë fare me kompaninë tonë. Ky pretendim është i rremë dhe i egër,” thuhet në reagim.

Por SYRI.net publikon dokumentet zyrtare nga Departamenti Amerikan i Thesarit, të cilave i është referuar në shkrim. Kjo është deklarata zyrtare e Departamentit Amerikan të Thesarit që mban datën 20 mars të vitit 2014.

“Putin ka investime tek Gunvor dhe mund të ketë akses tek fondet e Gunvor,” deklaron Departamenti i Thesarit, një fakt që konfirmon lajmin e SYRI.net dhe hedh poshtë pretendimet e kompanisë.

Pretendimi i dytë i kompanisë është ai se SYRI.net ka mashtruar kur e ka lidhur këtë kompani me manjatin rus Genady Timchenco. Sipas Gunvor, aksionet e saj janë në pronësi të z. Törnqvist (64%) dhe pjesa e mbetur u përket punonjësve e Gunvor.

“Nuk ka aksionarë të jashtëm. Z. Timchenko shiti aksionet e tij në vitin 2014, dhe nuk ka të bëjë me Gunvor,” thuhet në deklaratë.

Por edhe pse i ka shitur aksionet e veta, pas vitit 2014 Genady Timchenco është themeluesi i grupit Gunvor dhe një bashkëpunëtor shumë i ngushtë me presidentin e grupit Törnqvist tregohet nga ky shkrim i prestigjozes Financial Times.

Një tjetër çështje ku Gunvor akuzon SYRI.net se ka mashtruar është pretendimi se kompania ka qenë në listën e zezë të qeverisë amerikane.

“Gunvor nuk është në ndonjë listë të zezë nga qeveria e SHBA, dhe asnjëherë nuk ka qenë. Gunvor kurrë nuk është sanksionuar nga SHBA apo ndonjë qeveri tjetër, thuhet në deklaratën e Gunvor drejtuar SYRI.net.

Por SYRI.net sërish i referohet dokumenteve zyrtarë të qeverisë amerikane. Ky është urdhri i ish Presidentit Amerikan Barack Obama, që e liston Gunvor në listën e kompanive problematike, duke e cilësuar pronarin e saj Genady Timchenco si njeri I qarkut të afërt me Putin.

“Genady Timchenco është një prej themeluesve të Gunvor. Aktivitetet e Timchencos në fushën energjetike janë lidhur direkt me Putin,” thuhet në urdhrin e ish Presidentit Amerikan Obama, i cili e liston këtë kompani në listën e zezë.

SYRI.net pranon se në shkrimin e mëparshëm ka patur vetëm një pasaktësi, që ka lidhje me datën e themelimit të Gunvor, pasi ne kemi thënë se kompania ka dhjetë vjet në treg, ndërkohë që ajo është themeluar para 18 vjetësh. Por të gjitha faktet e tjera, të cilat Gunvor pretendon se janë të rreme, SYRI.net i mbështet me dokumente zyrtarë, të qeverisë amerikane dhe mediave më prestigjioze.

Konfirmimi se kryeministri shqiptar ka takuar grupin Gunvor duke biseduar për naftën shqiptare në mënyrë të fshehtë është një skandal i madh gjeopolitik.

Hyrja në negociata me një kompani, e cila ndonëse është shkëputur nga Genady Timschenco nuk ka mundur të shkëputet nga hijet ruse të së shkuarës, e vendos Shqipërinë në një kurs përplasje me aleatët e saj strategjik, Bashkimin Europian dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone