Ilir Beqaj pranon publikisht ekzistencën e barnave të falsifikuara

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka pranuar se në Shqipëri tregtohen barna të falsifikuara. Këtë fakt, ministri i Shëndetësisë e ka pohuar në Komisionin për Politikën e Jashtëm, ku prezantoi një marrëveshje me Këshillin e Evropës “Për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krime të ngjashme, që përbëjnë kërcënim për shëndetin publik”.

Ministri prezantoi pikat pozitive të marrëveshjes, ndërsa deputetët Namik Dokle dhe Ben Blushi i kërkuan sqarime Ilir Beqajt lidhur me ekzistencën e barnave të falsifikuara në tregun shqiptar. “Ne kemi raste të identifikuara të falsifikimit të barnave”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në vijim, ministri Beqaj sqaroi se falsifikim quhet edhe kur ndryshohet ambalazhi i produkteve mjekësore për qëllime tregtimi.

“Kur përkufizojmë barin ai lidhet edhe me ambalazhin, pra nuk do të thotë që patjetër duhet të jetë lënda kimike e falsifikuar, por kur përkufizohet e falsifikuar, edhe ndryshimet që mund t’i bëhen për qëllime jo të rrezikshme për jetën, por për arsye tregtimi, edhe vetë ndryshimi i ambalazhimit është pjesë e falsifikimit të barit”, tha Beqaj.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *