I akuzuari si financues Al-Kaedës i kërkon Shqipërisë 12 milionë USD dëmshpërblim

Në vitin 2001, biznesmeni arab Yassin Kadi humbi perandorinë e biznesit të ndërtuar në mesin e viteve ’90 në Shqipëri, pasi emri i tij u përfshi në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si financues i terrorizmit.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Kadi ka pastruar ‘de jure’ emrin përmes një serie procesesh gjyqësore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka rifituar pasurinë e tij në Shqipëri. Megjithatë, ai ka vendosur të kërkojë një dëmshpërblim të majmë nga Shqipëria me argumentin se “pronat e tij u keqadministruan” përgjatë shtatë viteve që ndodheshin nën sekuestro.

Në shkurt 2016, avokati i Yassin Kadi ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të shkallës së parë një padi kundër Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, AAPSK, të cilat kanë menaxhuar pasuritë e tij gjatë 7 viteve të sekuestros.

Sipas kërkesë-padisë të cilën BIRN e disponon, ai kërkon dëmshpërblim në vlerën e 1.527.330.000 lekëve (12 milionë USD).

Biznesmeni Yassin Kadi nga qyteti Jedahh i Arabisë Saudite e shtriu aktivitetin e tij në Shqipëri nga ndërtimet deri tek financimi për qëllime bamirësie në mesin e viteve ’90. Por bizneset e tij në Shqipëri morën të tatëpjetën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur Kadi u përfshi në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar për financim të organizatës famëkeqe Al-Kaeda.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *