Gjyqtari Ardian Dvorani: Sistemi gjyqësor në degradim për shkak të korrupsionit

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani në një intervistë për gazetarin Mustafa Nano pohon se sistemi gjyqësor në Shqipëri është drejt degradimit për shkak të korrupsionit masiv.

“Sistemi gjyqësor është gjerësisht i prekur nga korrupsioni sikurse hallkat e tjera të pushteteve. Kjo nuk mund të fshihet dhe të justifikohet. Ndryshe nuk do të ishim në këtë gjendje dhe urgjencë për reformë të thellë të sistemit…”, tha Dvorani, duke nënvizuar se është gjyqësori, hallka vendimtare e përcaktuese që shteti dhe shoqëria ta luftojnë dhe parandalojnë fenomenin korruptiv.

Për të pasur një sistem të pa korruptuar dhe të pandikuar politikisht, Dvorani kërkoi që të miratohet sa më shpejt dhe pa ndryshime Reforma në Drejtësi, për të bërë të mundur filtrimin e gjyqtarëve. Por ai e ka një shqetësim, të mos mbeten sërish “të fortët” në gjyqësor.

“Balzaku për të kritikuar fenomenin korruptiv dhe padrejtësinë e kohës, pak a shumë ka thënë se ligjet janë si rrjeta e merimangës, ku mizat e vogla ngecin, ndërsa mizat e mëdha kalojnë përtej”, citoi Dvorani. Sa u pa, Dvorani nuk kishte as orë, jo më orë të shtrenjtë, kjo ndoshta lidhej me moralin që ai trasmeton tek studentët e vet: “Nëse doni të bëheni të pasur dhe të keni një jetë luksi, mos zgjidhni të bëheni gjyqtarë”. Anëtari i Gjykatës së Lartë e shikon si të nevojshme të bëhen ndryshime në Kushtetutë.

“Kushtetuta e ‘98 reflekton shkallën e pamjaftueshme të pjekurisë shtetformuese dhe politike të kohës dhe lejon ndërhyrjen e ekzagjeruar të politikës në gjyqësor. Koha e ka provuar këtë”, nënvizoi në studion e Zululand gjyqtari Dvorani. Në cilësinë e ekspertit të nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi, Dvorani tha: “Nëse do të kisha një politikan në tryezën për të diskutuar për Reformën në Drejtësi, unë do të largohesha nga tavolina”, tha Dvorani për të dhënë mesazhin se është larg ndikimit të politikës.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *