Gjykata rrëzon kërkesën për liri të Vladimir Gjutës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar sot kërkesën për liri të Vladimir Gjutës, i cili është personi kryesor i dyshuar për sulmin me tritol në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.

Gjuta kërkoi pavlefshmëri të veprimeve të prokurorisë, ndërkohë që Gjykata më herët ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjuta ka mohuar kategorikisht lidhjen e tij me akuzat, për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për Indrit Ademin nga Kukësi, i cili akuzohet se ndihmoi Vladimir Gjutën në arrati. Tashmë pritet vendimi i gjykatës edhe për Blerim Thaçin, shtetasin kosovar që ishte me Gjutën në momentin kur ai u arrestua në tunelin e Kalimashit, të enjten. Vladimir Gjuta akuzohet për vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit si dhe mesazhin kërcënues ndaj Ministrit të Brendshëm.

Gjatë arrestimit, Gjutës i është gjetur sipas policisë, edhe një letër me emrat e stafit të kandidatit të majtë për Bashkinë e Kukësit, çka ka bërë që blutë të kenë dyshime të forta se ai ishte duke shkuar në Kukës për t’u bërë presion për zgjedhjet. Ndërkohë dje policia deklaroi se në makinën me të cilën udhëtonte Gjuta është gjetur një pistoletë e larë me flori, me inicialet V.GJ. Vetë Vladimir Gjuta ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij në lidhje me tritolin, duke deklaruar se do të dorëzohej vetë pas zgjedhjeve vendore.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *