Flet xhihadisti i penduar: Në Siri luftojnë për pushtet

“Idealet shumë shpejt mund t’ju zhgënjejnë në Siri, ku militantë të huaj që shkojnë me idealet për të ndihmuar popullatën siriane, shpesh e gjejnë veten të përfshirë në beteja mes grupeve rivale për plaçkitje dhe territor”. Kjo është dëshmia e një shqiptari nga Kosova, i cili ka qenë dëshmitar i kësaj çështjeje. 27-vjeçari qëndroi 10 muaj në Siri para se të kthehej në shtëpi. I rritur me kulturën myslimane, nipi i një imami nga Kosova, thotë se videot që paraqisnin konfliktin e bindën atë të shkonte në Siri majin e vitit 2013.

Megjithatë, nuk i është dashur shumë kohë që të kuptojë se idealizimi i tij për të luftuar regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad kishte rënë në mes të luftërave për territor mes komandantëve të fuqishëm rivalë. “Secili prej tyre dëshironte të kishte territorin e vet. As fëmijët e as gratë nuk kurseheshin. Askush nuk ishte i sigurt”, ka thënë ish-xhihadisti në deklaratën e tij për Shërbimin Ballkanik të Radios “Evropa e Lirë”.

Arbeni, që nuk është emri i tij i vërtetë, nuk tregon me saktësi se ku ka qenë i vendosur në Siri apo në cilin grup. Ai thotë vetëm se ka qenë afër Alepos. Qyteti i dytë më i madh në Siri, Alepo, ka qenë epiqendër e luftimeve të ashpra mes trupave të regjimit dhe të një koalicioni të shthurur të grupeve rebele që përfshijnë njësite nga Ushtria sekulare për Çlirimin e Sirisë, nga Fronti Al-Nusra i afërt me Al-Qaidan dhe grupi fundamentalist militant që ka deklaruar se do të vendosë kalifat në Siri dhe në Irak, të quajtur Shteti Islamik (IS). Arbeni thotë se Fronti Al-Nusra dhe ISIS-i ishin në mesin e grupeve më brutale ndaj civilëve.

“Al-Nusra i merrte gratë e atyre kundër të cilëve luftonte, porsa e pushtonin zonën. Ata edhe i plaçkitnin shtëpitë”, thotë ai. Më tej ai tregon se abuzimet e tilla e kanë bërë të sëmurej. Në të njëjtën kohë, thekson ai, ata i frikësonin civilët deri në atë masë saqë askush nuk u besonte më vullnetarëve të huaj, përfshi edhe vetë atë. “Në fillim, kur shkova në Siri, të gjithë na përshëndesnin”, kujton ai. “Por më vonë, na shikonin disi më ndryshe. Frikësoheshin nga ne”. I kthyer në Kosovë që nga mesi i vitit 2015, Arbeni është një prej numrit të panjohur të bashkëvendësve të tij që kanë udhëtuar në Siri për t’u bërë pjesë e luftës së saj civile.

Gazetat në Kosovë shkruajnë se numri i atyre që kanë shkuar është në qindra, ndërsa shumica e të rekrutuarve janë tërhequr në konflikt, pasi kanë përqafuar Islamin radikal. Por, rruga e Arbenit ka qenë e ndryshme. Ai thotë se i është shfaqur interesimi për Sirinë si pasojë e përvojave gjatë konfliktit në Kosovë më 1998-’99. Gjatë konfliktit, forcat e presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Milosheviç, dëbuan me mijëra shqiptarë nga Kosova. “E kam përjetuar luftën si fëmijë në Kosovë, por edhe ofensivat terrorizuese, dhe kështu desha të ofroja ndihmë humanitare ndaj fëmijëve të vegjël dhe familjeve në Siri”, tregon ai.

Besimi, nuk ka qenë brenga e tij kryesore. Në atë kohë, ai ka qenë në xhaminë lokale për falje, por jo në baza të rregullta, për shkak se ka qenë i zënë duke punuar në një Internet kafe. Kur kishte shkuar për herë të parë në Siri pasi ishte trafikuar përmes kufirit të Turqisë, ishte i kënaqur. Fillimisht ai u angazhua në një grup që merrej me aktivitete si “rregullimin e kampeve për refugjatë, shkolla dhe pastrim” dhe ndjeu sikur po ndihmonte popullin sirian.

“Por pas kësaj, filluam të trajnoheshim çdo mëngjes”, thotë ai. “Ishim të përgatitur për të dhënë ndihmë humanitare dhe ushtarake. U trajnuam për të përdorur armët AK-47. Unë mora pjesë në trajnime, por nuk mora pjesë në betejë”, tregon Arbeni, sipas të cilit nuk ishte dërguar në vijë të fronin sepse ka qenë “ende i ri dhe pa përvojë”. Por në zonën përreth tij zhvilloheshin luftime të ashpra, përfshi edhe bombardime vetëvrasëse në shkolla e në xhami.

Ai thotë se bombardimet bëheshin për të tmerruar popullatën lokale drejt nënshtrimit, derisa komandantët ushtarakë zgjeronin pushtetin e tyre. Arbeni thotë se e vlerëson veten me fat që ka dalë nga atje pas 10 muajsh. Por për t’u larguar, është dashur që të kapërcejë dyshimet e grupit të tij se po i dezertonte ata. Ai thotë t’i ketë gënjyer eprorët e tij se i kishte prindërit sëmurë dhe iu lut që ta lejonin të kthehej në shtëpi për t’u kujdesur për ta.

Që kur është kthyer në Kosovë, Arbeni thotë se i ka shkëputur të gjitha kontaktet me grupin e tij në Siri. I pyetur nëse do të shkonte sërish, ai lëvizë kokën. “Kurrë. Pendohem që isha atje. Që kur jam kthyer, as që dua të dëgjoj për Sirinë. Jam i befasuar me faktin se ka njerëz të interesuar për t’iu bashkuar kësaj lufte, madje edhe gra. Kjo s’ka të bëjë asgjë me Islamin”, përfundon ish-xhihadisti.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *