Emigrantët sirianë në kufi: Do të vijmë në Shqipëri

Të vendosur prej ditësh në qytezën e Konicës, 20 minuta larg kufirit me Shqipërinë, 162 refugjatët sirianë tashmë kanë filluar të ambientohen me ‎banesën e tyre të përkohshme.

Shëtisin në rrugët e qytetit, ndihmohen nga banorët dhe duket se gjithçka shkon mirë. Por sirianët nuk duan të qëndrojnë aty. Qëllimi i tyre është të vazhdojnë rrugën me çdo kusht, edhe nëpërmjet Shqipërisë. Këtë gjë e bën të qartë edhe ish-kryetari i Bashkisë së Konicës, aktualisht përfaqësues i Prefekturës së Janinës.

“Ata janë shumë mirë këtu në Konicë, madje shumë më mirë se refugjatët që janë në Idromeni. Njerëzit këtu i ndihmojnë dhe u janë afër, por duhet një zgjidhje pas 15 ditësh, pasi ata duan të ikin në Europë. Nuk duan të rrinë këtu”, thotë Prodromos Hatziefremidis.

E pikërisht për këtë çështje, rreth orëve të pasdites së djeshme të 162 refugjatët sirianë janë thirrur në një takim nga drejtuesit lokal, ku u është bërë e ditur se qeveria greke është duke zhvilluar bisedime intensive me Shqipërinë dhe Italinë për mundësinë e zhvendosjes së tyre. Fakti i afërsisë gjeografike me territorin shqiptar duket se u jep një shpresë atyre se mund të gjejnë një shteg të ri kalimi.

“Po e dimë që jemi shumë afër kufirit me Shqipërinë dhe shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë të kalojmë kufirin. Nëse nuk hapen kufijtë e Maqedonisë, sirianët do të kalojnë nga kufiri shqiptar”, thotë një sirian.

“Ne e dimë se ku ndodhet kufiri me Shqipërinë dhe ne jemi këtu se respektojmë qeverinë greke që na kanë thënë se do të qëndrojmë këtu 15 ditë e më pas do shohim se çdo ndodhë. Por nëse nuk do të ketë një vendim për ne, atëherë ne do të shkojmë vetë në kufirin me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që qeveria shqiptare të na ndihmojë ne dhe të mos ketë më vuajtje si në kufirin maqedonas”, shton një tjetër.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *