Emërohet koloneli që do të drejtojë Shërbimin Sekret të Ushtrisë

Emërohet koloneli që do të drejtojë Shërbimin Sekret të Ushtrisë

Shqipëria ka dy shërbime inteligjente, shërbimin informativ shtetëror SHISH dhe agjencinë e inteligjencës dhe të sigurisë së mbrotjes AISM, apo siç njihet ndryshe ish-shërbimi informativ ushtarak.

Deri sot të dy këto shërbime kanë qenë pa drejtues. Helidon Bendo, i propozuar prej mëse dy javësh në krye të SHISH-it nga Kryeministri Edi Rama pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës, nuk është dekretuar ende nga Presidenti Ilir Meta, kurse Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes qëndroi prej dy muajsh pa drejtues, pas emërimit dhe dekretimit të Bardhyl Kollçakut si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Burime për Top Channel pohojnë se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka firmosur urdhërin që emëron në krye të inteligjencës së ushtrisë kolonel Bardhyl Nuredinaj, i cili më parë ka qenë komandant në Qendrën e Personel Rekrutimit të Forcave të armatosura.

Kolonel Nuredinaj i merr zyrtarisht funksionet e kreut të AISM-së ditën e mërkurë, më 15 nëntor, mesa duket edhe pas dakordësimit me aleatët. Me ndryshimin e ligjit në vitin 2014 shefi i AISM-së nuk emërohet dhe as shkarkohet më me dekret të presidentit, por ky atribut i takon vetëm ministrit të Mbrojtjes.

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone