Dosja “Tiranë- Elbasan”, kreu i ARRSH deponon në prokurori: Jam i gatshëm që…

Dosja “Tiranë- Elbasan”, kreu i ARRSH deponon në prokurori: Jam i gatshëm që…

Hetimet e Prokurorisë për korrupsionin në rrugën Tiranë- Elbasan kanë ecur më tutje këtë të premte, teksa në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dëshmuar dhe kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.

Në dalje, Qendro ka qenë i shkurtër në deklarimet e tij përballë medias, duke thënë se ka dhënë një sërë shpjegimesh në cilësinë e kreut të ARRSH-së dhe se është kurdoherë i gatshëm që të deponojë sërish nëse prokuroria e kërkon.

“Dhashë shpjegime për rrugën Tiranë-Elbasan në cilësinë e detyrës që kam. Jam gati që të dëshmoj përsëri nëse do të thirrem nga prokuroria” deklaroi ai.

Kreu aktual i ARRSH-së është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni me rrethanat e hetimit dhe abuzimet për të cilat pretendon prokuroria se janë kryer në punimet e mirëmbajtjen e aksit Tiranë Elbasan. Mbi këtë dosje tashmë në burg është ish kreu i ARRSH-së Dashamir Xhika, si dhe një sërë ish vartësish të lartë të institucionit.

Kujtojmë se për këtë çështje janë pyetur dhe dy ish Ministrat e Transporteve Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.