Dështon koncesioni i targave me çip, tërhiqet kompania

Projekti për dhënien me koncesion të targave me çip ka dështuar, pasi kompania Porta Saber Albania është tërhequr nga oferta e saj, e cila parashikohej t’i kushtonte 48 euro çdo pronari automjeti në Shqipëri. Pak ditë më parë, kompania ka dërguar një letër në Ministrinë e Transporteve, duke tërhequr ofertën e bërë në shtator të vitit 2015.

Sipas “BIRN”, ministria e Transporteve konfirmoi tërheqjen e kompanisë së interesuar, ndërsa pohoi se procedurat e vlerësimit të propozimit të saj po shkojnë drejt mbylljes.

“Grupi i vlerësimit po ndjek procedurat e përcaktuara në ligj pas tërheqjes së kompanisë,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Transporteve, Arbër Hitaj.

Projekti i targave elektronike u prezantua nga Ministria e Transporteve si “çelësi” i zgjidhjes për problemet e sigurisë në rrugë që prej vitit 2014. Në shtator të 2015, Ministria mori një kërkesë për koncesion dhe një studim fizibiliteti nga kompania Porta Saber Albania-kompani e administruar nga sipërmarrësja Fitnete Sulaj.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi detajet e këtij projekti, ku Porta Saber Albania premtonte se do të investonte rreth 6.2 milionë euro në pesë vitet e para të koncesionit dhe do të merrte mbrapsht 95 milionë euro në 35 vitet e operimit të tij.

Porta Saber Albania parashikonte në studimin e saj që brenda tre vitesh të pajisë me çip elektronik targat ekzistuese, të cilat llogariten të jenë 360 mijë në total. Pas tre viteve të para, kompania parashikonte të instalonte çdo vit 40 mijë çipe për makinat që hyjnë rishtaz në qarkullim.

Sipas studimit, çdo çip i instaluar i kushtonte 7 euro kompanisë dhe 48 euro qytetarit. Diferenca e madhe në çmim justifikohet me kostot shtesë për blerjen e 200 lexuesve të të dhënave që do të instalohen në rrugët e Shqipërisë, ngritjen e një qendre të kontrollit me vlerë 120 mijë euro dhe blerjen e makinave apo pagesat për stafin që do të realizojë projektin.

Përveç kostove ekonomike, projekti i targave me çip ngrinte pikëpyetje serioze mbi ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave personale i kërkoi garanci shtesë kompanisë, në mënyrë që projekti të ishte në përputhje me ligjin.

Ministria e Transporteve ngriti një grup pune për të shqyrtuar ofertën e kompanisë Porta Saber Albania, me anëtarë dhe përfaqësues nga disa ministri. Megjithatë, ky grup pune nuk doli me një raport përfundimtar mbi termat e koncesionit, pasi kompania tërhoqi ofertën e saj.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *