Dajçi dhe Ana e Malit, dy prej zonave më të goditura nga përmbytjet

Dajçi dhe Ana e Malit, dy prej zonave më të goditura nga përmbytjet

Zona e Nën-Shkodrës vijon të përballet me situatë të vështirë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur këtë të mërkurë shkoi rreth 5 mijë hektarë. Dajçi e Oboti janë zonat më të prekura, ku banorët thuajse janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Ndërkohë Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës u përplasën sërish sot, pas vendimit për të shtuar mbështetjen dhe praninë e ushtarëve në zonat e përmbytura, por pa shpallur gjendjen e emergjencës.

Banorët e Nën-Shkodrës dhe forcat e ushtrisë bënë roje gjithë natën, pasi prurjet e fuqishme e kanë dëmtuar rëndë argjinaturën e Pentarit në njësinë administrative të Dajçit.

Mëngjesin e kësaj të mërkure nën ujë ishin rreth 5 mijë hektarë tokë dhe disa qindra shtëpi të izoluara.

Banorët e Dajçit po mundohen të shpëtojnë çfarë të mundën nga shtëpitë, si dhe gjënë e gjallë.

Por përballë nivelit të ujit janë të pafuqishëm.

Në Obot prej ditësh, lëvizet vetëm me varka.

Banorët kërkojnë reagim të qeverisë dhe të mundësojë sigurimin e bazës ushqimorë për bagëtitë.

Nga Tirana, qeveria u angazhua për tu intensifikuar ndihmat, por nuk shpalli gjendjen e emergjencës, vendim që kryebashkiakja e Shkodrës e cilësoi turp.

Ademi: Jam e detyruar t’u jap një lajm jo të mirë: Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë. Me keqardhje më duhet ta pohoj publikisht se vendimi i sotëm, është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj.

Mesi: Në këtë mbledhje të sotme, disktuam situatën si edhe përcaktuam kapacitetet njerëzore dhe logjistike të tjera që nevojiten krahas atyre të alokuara për përmballimin e përmbytjeve në Qarkun Shkodër dhe parandalimin e situatës më tej. Dhe vendosëm të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për banorët dhe uji të pijshëm. Edhe pse ujësjellësi funksionon në disa zona të prekura, është më mirë të mos përdoret.Të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Të shtojmë forcat në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre.

Parashikimet nuk janë optimiste dhe shpresa e vetme e këtyre banorëve është që niveli i ujit të mos rritet më shumë, pasi në të kundërt situata do të shkojë e ngjashme me 2010 – 2011-en./Oranews