Bashkia e Tiranës shton taksat te fatura e ujit: Mbi 8,000 lekë në vit

Fatura e ujit për muajin shkurt për familjet në Tiranë ka përfshirë edhe taksat e Bashkisë.

Tarifa e pastrimit, taksa mbi ndërtesën dhe taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore do të paguhen tashmë çdo muaj së bashku me faturat e ujit, çka shton mesatarisht faturat mujore të ujit me të paktën 600 lekë në muaj.

Taksa e pastrimit për familjet në Tiranë është 420 lekë në muaj dhe ajo e përkohshme e infrastrukturës arsimore është 150 lekë në muaj. Vetëm nga këto dy taksa, në vit, familjet do të paguajnë 6800 lekë në vit (tarifa e pastrimit është 5000 lekë në vit dhe ajo e arsimit 1800 lek).

Këto dy tarifa janë fikse, ndërsa ajo e ndërtesës është në varësi të zonës, sipërfaqes dhe llojit të ndërtesës, para vitit ‘93 dhe pas vitit ‘93.

Për ndërtesat para ‘93 në Tiranë, taksa është 15 lekë për metër katror dhe ato pas ‘93 është 30 lekë për metër katror.

Për banesat jashtë zonës së Tiranës është 7.5 lekë për metër katror para ‘93 dhe 15 lekë pas ‘93.

Në krahasim me vitin e mëparshëm është shtuar taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore prej 1800 lekë në vit, ndërsa taksa e pastrimit dhe ajo e ndërtesës nuk kanë ndryshuar.

Me kalimin e ujësjellësit nën administrimin e Bashkisë gati një vit më parë, taksat e Bashkisë kanë filluar të vilen te fatura e ujit.

Bashkia e ka rrumbullakosur këstin mujor të tarifës së pastrimit në 420 lekë, nga 417.7 lekë që duhet të ishte, çka bën që një familje të paguajë në vit 40 lekë më shumë.

Bashkia e ka rrumbullakosur këstin mujor të tarifës së pastrimit në 420 lekë, nga 417.7 lekë që duhet të ishte, çka bën që një familje të paguajë në vit 40 lekë më shumë (5040 lekë nga 5000 që është taksa).

Ndonëse kjo shumë është e papërfillshme për një familje, në total nga rreth 220 mijë familje që janë në Tiranë, sipas INSTAT, Bashkia do të marrë nga kjo rrumbullakosje (nëse shuma nuk korrektohet në muajt në vijim) gati 9 milionë lekë (64 mijë euro) më shumë.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *