Banorët e Lushnjes në protestë: S’kemi as rrugë dhe as siguri

Qindra qytetarë të fshatit Gramsh në Bashkinë e Lushnjës protestuan për gjendjen e vështirë të infrastrukturës. Mbi 700 shtëpi me 2 500 banorë vuajnë mungesën e një rrugë normale prej 2 kilometrash, mungesën e ujit dhe të kanalizimeve. “Jemi 700 shtëpi këtu dhe shikojeni rrugën si është. Ne duam rrugën të na bëhet dhe të kemi edhe ujë. Problem janë edhe ujërat e zeza sepse kur bie shi këtu nuk rrihet. Na kanë braktisur”, u shprehën banorët.

Kryetarit i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslym Murrizi ishte pranë banorëve duke mbështetur protestën e tyre të drejtë. “Jemi këtu në mbështetje të protestës së banorëve të fshatit Gramsh, që sot është pjesë e njësisë administrative të bashkisë së Lushnjës, ish komuna e Dushkut. Banorët kanë të drejtë legjitime sepse kërkojnë vetëm 2 kilometra rrugë dhe janë 700 familje me 2 500 banorë të cilëve herë pas here u është premtuar rruga për çdo zgjedhje elektorale. Sot në 2016 rruga është në këtë gjendje dhe banorët kërkojnë që taksat që paguajnë t’u kthehen në shërbim si për rrugën, si për përroin, edhe për ujin. Pra banorët kërkojnë të drejtën legjitime tek ata që kanë besuar votën. Unë si kryetar i Partisë Demokratike jam sot në mbështetje të plotë të kërkesave të tyre, por edhe nesër kur PD të jetë në pushtet”, tha Murrizi.

Një tjetër shqetësim për banorët është kthyer kabina elektrike në qendër të fshatit e cila është e hapur dhe në kushte të plota pasigurie, duke u kthyer në një rrezik për qindra fëmijët e këtij fshati që luajnë afër saj. Ata u shprehën se paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike dhe kërkuan ndërhyrjen e OSHEE. Kryetari i PD, Murrizi tha se ky është një standard i dyfishtë i OSHEE. “Kemi një gjendje skandaloze të kabinës, në mëshirë të fatit që është kthyer në rrezik për fëmijët dhe çdo banor të fshatit ndërkohë që OSHEE mburret me faturime e tejkalime. Në shumë raste i fusin në burg qytetarët për 5 mijë apo 10 mijë lekë të vjetra siç ishte rasti i Qamil Zelës. Tani shikoni këtu se si është gabina në këtë fshat me 700 familje. I bëj thirrje OSHEE që të lejë reklamën e të vijë të bëjë punët dhe me ato që paguajnë qytetarët edhe kur janë në mbifaturim, të investojnë për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Murrizi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *