Sot luhet sfida më e rëndësishme e kampionatit

Ditën e sotme kampionati shqiptar do të pres sfidën më të rëndësishme të këtij edicioni. Në orën 19:00, në stadiumin “Qemal Stafa” do të vendosen përballë njëra-tjetrës dy skuadrat më të mira të këtij sezoni dhe që me të drejtë ndajnë mes tyre dy vendet e para në tabelën e klasifikimit. Luhet Partizani-Skënderbeu, sfida më e nxehtë në këto momente në kategorinë Superiore. 4 pikë është diferenca në renditje, mes korçarëve që kryesojnë dhe të kuqve që ndjekin nga pas, por në të dyja kampet e kanë më se të qartë se një fitore në këtë ndeshje, përballë rivalit të tyre direkt nuk vlen vetëm tri pikë, por plot 6.

Në tapetin e gjelbër të “Qemal Stafës” nuk do të zbresin vetëm dy skuadrat më të mira të këtij kampionati, por edhe sulmi më i mirë ndaj mbrojtjes më të mirë. Në një vend fqinj me Shqipërinë siç është Italia, shumë trajnerë thonë se sulmi kënaq tifozët, kurse mbrojtja të jep titujt, dhe këtë gjë e ka më se të qartë italiani i stolit të Partizanit, Andrea Agostineli.

Deri tani është sulmi i Skënderbeut me 50 gola të realizuar ai që triumfon, pasi në krye të klasifikimit ndodhen pikërisht korçarët, por për të mposhtur kampionët dhe për të shpresuar deri në fund te titulli, trajneri i Partizanit, Agostineli, do të kërkojë të niset nga reparti i mbrojtjes. Me vetëm 13 gola të pësuar në 25 ndeshje, prapavija e të kuqve është më e mira e Superiores. Pikërisht duke u bazuar te një mbrojtje e fortë që është e vështirë për t’u çarë nga çdo ekip kundërshtar, 15 herë kampionët do të synojnë t’i vendosin një stërkëmbësh, Skënderbeut të Mirel Josës. Statistikat flasin në favor të të kuqve, që 16 vitet e fundit kanë fituar 6, kanë barazuar 2 dhe kanë humbur vetëm 2, nga 10 sfidat që kanë zhvilluar në total ndaj korçarëve në kryeqytet.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *