Partizani mposht Tiranën. Vazhdon dominimin e derbive

Skuadra e Partizanit ka fituar sot 2-0 përballjen ndaj bardhebluve, rivalit historik në garën e kryeqytetit. Një derbi i vendosur që në minutën e 12 të takimit, teksa të kuqve u kanë mjaftuar kaq minuta jo vetëm për të zhbllokuar rezultatin, por madje për të thelluar avantazhin e tyre në 2-0.

Fillimisht me bomberin Sukaj të kuqtë kanë kaluar në avantazh që në minutën e 6, për të dyfishuar shifrat vetëm 6 minuta më vonë me Fejzullahun.

Dy gola të realizuar me kokë, pas dy shërbimesh nga krahët e sulmit të të kuqve, me mbrojtjen bardheblu të paaftë për të konfirmuar soliditetin e shfaqur prej disa javësh. Në kampin e Tiranës, Bakajt shndërrohen në protagonistët negativë. Fillimisht portieri Edvan Bakaj bëhet bashkëautor në golin e dytë, atë të realizuar nga Fejzullahu, teksa gardiani i bardhebluve ishte vendosur krejtësisht gabim, me tentativën e tij për të devijuar topin, por pasi ai vetë gjendej brenda portës.

Më pas, bomberi Elis Bakaj, i porsa aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, ka ndëshkuar ekipin, duke e lënë në inferioritet numerik, pasi ka kontestuar një karton të verdhë, për të marrë më pas të kuqin. Moment ky që ka vendosur përfundimisht fatin e ndeshjes, me të kuqtë, të ngopur që fitojnë 2-0, përballë Tiranës së pafuqishme për të reaguar.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *