Mediat e Beogradit: Shaqiri na veshi me të zeza

Mediat e Beogradit: Shaqiri na veshi me të zeza

Pasi gazeta serbe deshi të merr një prononcim nga Shaqiri, ai u përgjigj shkurt në gjuhën serbe : “Jo”.
Heroi i fitores zvicerane ndaj Serbisë (2:1) në raundin e dytë të Mundialit, Xherdan Shaqiri, reagoi në mënyrë “shumë interesante” pas ndeshjes në Kalingrad, gjatë të cilës shkëlqeu, dhe e vulosi lojën me shënim në minutën e 90, shkruan gazeta beogradase “Blic”.

Pasi i bëri mat portierit Vlladimir Stojkoviq në një kundërsulm të cilin nuk arriti ta ndalë as Dushko Toshiq, përfaqësuesi zviceran, me prejardhje nga Gjilani, vrapoi kah tribunat lindore duke bërë me duar shqiponjën, e që sipas gazetës qenka “simbol i dashamirëve të Shqipërisë së Madhe”, transmeton Insajeri.com.

Ai i kryqëzoi duart në gjoks dhe e imitoi lëvizjen e krahëve, “gjë që është simboli i përkrahësve të atyre të cilët angazhohen për këtë ide e që e përdorin këtë si shenjë të tyre duke u thirrur kështu në shqiponjën e flamurit shqiptar”, shkruan gazeta “Blic”, duke u përpjekur që ta largojë vëmendjen e lexuesve nga debakli i kombëtares së tyre.

Mirëpo, sipas komenteve të lexuesve, gazeta nuk arrin në këtë, sepse një shumicë dërmuese e tyre e kritikonin lojën e kombëtares së tyre dhe taktikën e trajnerit. Sa i përket “simboleve nacionaliste”, shumica konstatojnë se “pasi askujt nuk i pengojnë tri gishtat e ngritura të sportistëve serb pas fitoreve, sidomos i tenisistit Novakoviq atëherë përse ne të na pengojë shenja e shqiponjës”. Si dhe: “Sikur të kishim luajtur mirë dhe të fitonim, a do ta kishim vërejtur shqiponjën?”.

Megjithatë, reporterët sportiv të Sky Sports arritën ta marrin një deklaratë të shkurtër nga heroi i mbrëmjes: “E dini, tani mendoj për këtë… dhe nuk dua të flas për këtë temë. Në futboll gjithmonë keni emocione. E shikuat se çfarë bëra, ky ishte emocion i pastër. Unë thjesht isha i gëzuar që dhash gol”.