QSUT nuk merr dot akreditimin. Vetëm privatët i plotësojnë kushtet

QSUT nuk merr dot akreditimin. Vetëm privatët i plotësojnë kushtet

“Ecuria e aplikimit për akreditim është më e përparuar tek spitalet private”. Kështu është shprehur Valbona Bara, Specialiste e Sektorit të Cilësisë, Sigurisë dhe të Drejtave të Pacientit pranë Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore. Deklarata është bërë gjatë një seance dëgjimore të mbajtur të hënën në komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

“Akreditimi i spitaleve kërkon një periudhë 2-vjeçare që nga aplikimi dhe deri në përfundim të procesit. Deri diku ka nisur njohja e standardeve dhe procesi i aplikimit edhe për spitalet rajonale e ato private. Megjithatë, ritmet e shpejtësisë së aplikimit për akreditim janë më të ngadalta tek spitalet publike. Në disa spitale që kanë aplikuar për akreditim aktualisht është ngritur këshilli i vetëvlerësimit dhe ka nisur dërgimi i raporteve”, është shprehur Bara duke lënë të kuptohej se akreditimi i institucioneve shëndetësore mund të zgjasë deri në fund të vitit 2019.

Kjo deklaratë vë në diskutim premtimin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu të bërë në fund të vitit të kaluar, ku sipas saj akreditimi i institucioneve shëndetësore do të përfundojë brenda 2018-s. Por nga ana tjetër vë në dukje ecurinë e bërë nga spitalet private në krahasim me sektorin publik në këtë proces.

Akreditimi i institucioneve shëndetësore nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion si produktet, proceset, sistemet, personelin, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara.

Aktualisht, institucion shëndetësor publik i licencuar është vetëm Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, drejtor i të cilit është aktualisht Perlat Kapisyzi, bashkëshorti i zv. Ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli.

As Qendra Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” akoma nuk e ka marrë akreditimin, ndërsa sipas specialistëve, nuk përjashtohet mundësia e akreditimit vetëm për disa shërbime specifike në këtë spital.

“E kemi diskutuar që të akreditohet edhe vetëm një shërbim i caktuar i një spitali. Kjo sepse duke marrë psh. specifikat e QSUT-së, kemi diskutuar se meqë ka shërbime që operojnë shumë mirë në krahasim me shërbimet e tjera, nuk ka pse të penalizohen ato shërbime që ofrojnë kujdes shëndetësor me standarde”, është shprehur specialistja e QKCSAISH, Valbona Bara.

Spitale të akredituara në Shqipëri janë vetëm 4 private dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” institucion publik.

Në tërësi, numri i institucioneve shëndetësore në Shqipëri sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është 54 spitale publike dhe private, 415 qendra shëndetësore, 1900 pika ambulatore, 122 klinika private, 408 laboratorë privat, 1416 klinika stomatologjike. / Emanuel Smaka, Pro Pacientit.