Prononcohet Edi Rama. Teatri Kombëtar do të bëhet brenda Kryeministrisë

Prononcohet Edi Rama. Teatri Kombëtar do të bëhet brenda Kryeministrisë

Pas disa ditëve tensione mes artistëve të Teatrit Kombëtar dhe qeverisë në lidhje me shkatërrimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, është shprehur edhe kryeministri i vendit Z. Edi Rama.

Pasi ka bërë të paditurin në ditët e mëparshme, kësaj radhe ai ka folur shkoqur dhe qartë. “Teatri Kombëtar do të ngrihet brenda godinës së Kryeministrisë” ka deklaruar ai në një konferencë për median.

Ai ka nxituar të shuajë edhe habinë e gazetarëve duke shtuar se ashtu siç i rilindi artet pamore me krijimin e qendrës artistike brenda kryeministrisë, ashtu siç edhe rilindi median me krijimin e ERTV-së, po ashtu do të rilindë edhe Teatrin Kombëtar po nga kjo ndërtesë.

“E thashë edhe para disa ditësh në parlament, aktorët kanë ngelur pa role. Por brenda kryeministrisë ka role sa të duash për ta” ka theksuar ai.

Sipas informacioneve të Periferisë, kjo ka qenë një ide ekskluzive e kryeministrit. Këshilltarët e tij mesa duket kanë qenë më shumë të mendimit që në ndërtesën e kryeminstrisë të strehohej Teatri Eksperimental.

Mendime alternative ka pasur edhe për idenë tjetër të kryeministrit që këtij teatri t’i ndryshohet emri. Sipas tij Teatri Kombëtar nga tash e tutje do të quhet EDRAMA KOMBËTARE. Por sipas disa këshilltarëve ky emër përjashton disi edhe komedinë e cila pritet të ketë një rol po aq të rëndësishme në teatrin e ri. /periferiblog.wordpress.com