Rritet në Ballkan numri i fëmijëve refugjatë të pashoqëruar

Rritet në Ballkan numri i fëmijëve refugjatë të pashoqëruar

Shumica po qëndrojnë në qendra kolektive, hostele, qendra azili, parqe, ose në vende të hapura, në Serbi, Bullgari, Kroaci dhe Bosnje.
Udhëtimi i vetëm në rrugën e re ballkanike drejt Europës Perëndimore i ekspozon ata ndaj rreziqeve të shumta siç janë uria, trafikantët e njerëzve dhe abuzimi dhe shfrytëzimi seksual.

Tema e fëmijëve refugjatë dhe emigrantë të pashoqëruar është në qendër të axhendës ndërkombëtare që kur SHBA filloi të ndante fëmijët e emigrantëve nga prindërit e tyre në kufirin me Meksikën.
Gruaja e presidentit Donald Trump, Melania, ka shtuar bujën duke ndërhyrë në debat për të thënë se ajo “urren të shoh fëmijët e ndarë nga familjet e tyre”.
Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i njerëzve të të gjitha moshave që përdorin Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Serbinë si një rrugë të re tranziti për të arritur Europën Perëndimore po rritet me shpejtësi.
Serbia
I mitur i pashoqëruar nga Afganistani del nga një restorant për fëmijë – Foto: BETA(APTetëmbëdhjetë qendrat e pritjes dhe azilit të menaxhuara nga Komisariati i Serbisë për Refugjatët dhe Emigracionin aktualisht kanë 682 fëmijë – 410 djem dhe 272 vajza, tha Komisariati për BIRN, duke shtuar se ky numër përbën një të katërtën e numrit të përgjithshëm të refugjatëve dhe emigrantëve në Serbi.
“Nga numri total i fëmijëve, 75 janë minorenë të pashoqëruar,” theksoi ai.
Komisariati theksoi se ai kujdeset për të siguruar që të miturit e pashoqëruar të vendosen në dhoma të ndara nga ato ku qëndrojnë të rriturit beqarë.
“Të gjithë emigrantët e shkollave fillore, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor, kanë qasje në arsim,” shtoi ai.
Komisariati shpjegoi se në vitin shkollor 2017/2018, Ministria e Arsimit i përfshiu të gjithë fëmijët e emigrantëve dhe refugjatëve të moshës shtatë deri në 14 vjeç, pavarësisht nga statusi i tyre, në sistemin e arsimit fillor.
“Aktualisht në Serbi ka 276 (refugjatë dhe emigrantë) fëmijë të moshës shkollore, 22 prej të cilëve janë të mitur të pashoqëruar në grupmoshat shtatë deri në 14 vjeç,” tha ai.
Komisariati theksoi se po bashkëpunon me OJQ-të në ofrimin e aktiviteteve shtesë për fëmijët, siç është të mësojnë serbisht dhe punë krijuese.
Jelena Besediç, drejtoreshë e Programit për Migracionin dhe Zhvendosjen e Ballkanit i Save the Children, tha për BIRN se kjo organizatë bamirëse kishte themeluar Qendrën Ballkanike, BMDH, në fund të vitit 2017, duke u fokusuar te emigrimi në rajon dhe te përpjekjet për të ofruar mbështetje për fëmijët në lëvizje.
“Rruga e Ballkanit Perëndimor mbetet aktive dhe ardhjet dhe nisjet vazhdojnë. Save the Children vlerëson se më shumë se 3,700 njerëz kanë hyrë në Serbi që nga fillimi i vitit,” vuri në dukje Besediç.
Ajo shtoi se, për shkak të mungesës së rrugëve të sigurta dhe të rregullta dhe qasjes joadekuate në mbrojtjen ndërkombëtare, refugjatët dhe emigrantët shpesh udhëtojnë me kontrabandistët dhe janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe shfrytëzimit.
“Dëbimet kolektive, shpesh të shoqëruara me dhunën e shkaktuar nga rojet kufitare, raportohen nga të gjithë kufijtë në rajon.
“Ekziston nevoja për të mbështetur të dy të ardhurit e rinj, fëmijët dhe të rriturit e lodhur nga një udhëtim i gjatë dhe ata që mbeten të bllokuar në Serbi për muaj dhe vite me radhë, duke u përballur me nivele të larta stresi dhe rreziqe të përkeqësimit të shëndetit mendor për shkak të perspektivave të pasigurta për të ardhmen e tyre,” përfundoi ajo.
Bullgaria
Një fëmijë emigrant shikon nga dritarja e trenit që ecën drejt fshatit Tabanovc pranë kufirit me Serbinë | Foto: Tsvetomir DimovBullgaria i ka përjetuar të dyja, si fluksin ashtu edhe një eksod të të miturve të pashoqëruar që kërkojnë azil kohët e fundit.
Nga vetëm 185 në vitin 2013, numri i fëmijëve të regjistruar të refugjatëve dhe emigrantëve pa prindër u rrit në 940 në vitin 2014, duke u rritur në 1,815 në vitin 2015 dhe deri në 2,750 fëmijë pa prindër që kërkuan azil në vitin 2016.
Që atëherë, shifrat kanë rënë në vetëm 48 nga 31 maji, sipas të dhënave nga UNHCR-Bullgaria.
Këta fëmijë shpesh marrin mbështetje joadekuate.
“Për shkak të mungesës së kapaciteteve administrative, rezidenciale dhe financiare të shërbimeve sociale, duke përfshirë trajnimin gjuhësor dhe përvojën me fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë, shumica e tyre janë sistemuar në qendrat e regjistrimit-pranimit, ndonjëherë bashkë me të rritur me të cilët s’kanë lidhje, pa kujdes të specializuar,” tha për BIRN një zëdhënës i UNHCR-së.
Të shoqëruar me mungesë përkrahjeje për të mbuluar nevojat bazë dhe ndihmë financiare, e cila është e zakonshme për të gjithë refugjatët dhe emigrantët në Bullgari, kjo rrit vulnerabilitetin e tyre ndaj shfrytëzimit, abuzimit dhe trafikimit.
Shumë fëmijë të pashoqëruar shpejt largohen nga qendrat e pritjes dhe bien pre e kontrabandistëve.
UNHCR tha për BIRN se ngritja e një qendre të caktuar ekskluzivisht për fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë me financim nga Norvegjia është në diskutim që nga viti 2017 dhe duhet të bëhet funskionale deri në vitin 2019.
Megjithatë, mijëra fëmijë janë tashmë jashtë kontrollit të autoriteteve bullgare dhe janë në duart e kontrabandistëve dhe trafikantëve.
Një arsye për këtë është se ndërsa komunat lokale duhet të emërojnë përfaqësues për fëmijët e pashoqëruar, ato shpesh nuk e bëjnë këtë, pasi nuk kanë staf, kapacitet, burime financiare dhe trajnime, tha një zëdhënës i UNICEF-Bullgarisë për BIRN.
“Nuk ka ende asnjë mekanizëm kujdestarie që të lejojë emërimet në kohë të kujdestarëve të kualifikuar dhe të trajnuar për të mbrojtur interesat më të mira të fëmijëve të pashoqëruar dhe të ndarë dhe për të siguruar që të drejtat e tyre të mos shkelen,” shtoi UNICEF.
Përfaqësues u caktuan për 613 fëmijë të pashoqëruar azilkërkues në vitin 2017, sipas të dhënave të UNHCR-së.
Bosnja dhe Hercegovina
Numri i përgjithshëm i fëmijëve refugjatë dhe emigrantë, përfshirë fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë, mbetet e ulët në Bosnjë, sipas raportit të fundit të publikuar këtë muaj nga koalicioni Forumi Ndërkombëtar i Solidaritetit.
Ky përfshin Emmaus (IFSEmmaus), Save the Children, SOS Kinderdorf, Fondi i Fëmijëve i OKB-së (UNICEF) dhe World Vision.
Në Bosnjë janë identifikuar një total prej 381 fëmijësh refugjatë dhe emigrantë në disa vende nga Sarajeva dhe Mostari deri në Selakovac dhe Bihac dhe Velika Kladusa në veriperëndim.
Nga këta 381, 29 janë fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë, të gjithë djem. Gjashtë janë nën 14 vjeç, dhjetë janë 16 vjeç dhe 12 janë 17 vjeç.
Shumica e tyre, 41 për qind, janë nga Afganistani; 21 për qind janë nga Pakistani, 17 për qind janë nga Siria, 7 për qind janë nga Iraku dhe 3 për qind janë nga Palestina.
Në Velika Kladusa u identifikuan edhe 37 fëmijë të tjerë të pashoqëruar dhe të ndarë, por refuzuan të intervistoheshin.
Nga 12 fëmijë me forma të ndryshme të aftësive të kufizuara fizike dhe/ose intelektuale, pesë ishin fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë.
Shumica e fëmijëve, të pashoqëruar dhe të shoqëruar, strehohen në qendrat kolektive, në hostele dhe qendra azili. Disa qëndrojnë në parqe ose zona të tjera në ambient të hapur, sipas këtij raporti.
Shumica e tyre nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e minave të mbetura nga lufta 1992-1995 në rrugën e tyre përmes Bosnjës, sidomos në kantonin Una-Sana, afër kufirit me Kroacinë, që është afër Bihacit dhe Velika Kladusës.
Qendra e Veprimit ndaj Minave në Bosnjë thotë se rajoni është një nga zonat më të prekura nga minat në Bosnje, sidomos zona afër kufirit me Kroacinë.
Numri i refugjatëve dhe emigrantëve që mbërrinin në Bosnje u rrit shpejt në fund të vitit 2017.
Në dallim nga një mesatare prej 32 arritjesh në muaj të regjistruara nga janari deri në nëntor, në dhjetor numri arriti në 198.
Ky trend ka vazhduar në vitin 2018 dhe numri i të ardhurve të regjistruar pak a shumë është dyfishuar çdo muaj këtë vit, duke u rritur nga 237 në janar në 2,557 në maj, sipas Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës.
Kroacia
Fëmijët luajnë në anën greke të kufirit, të fotografuar nga përtej gardhit nga ana maqedonase më 29 shkurt 2016 – Foto: APTë dhënat që i referohen Kroacisë se Shërbimi Jezuit i Refugjatëve, JRS, një organizatë humanitare jofitimprurëse, tha për BIRN se refugjatët që kanë marrë azil në Kroaci përfshijnë rreth 130 fëmijë.
Rreth 100 fëmijë të azilkërkuesve (numri i të cilëve ndryshon pasi familjet shpesh largohen nga Kroacia para përfundimit të procedurave) janë të sistemuar në qendrat e pritjes në Kutina ose Zagreb.
JRS vlerëson se ata përfshijnë rreth dhjetë refugjatë nën moshë të pashoqëruar.
“Në mungesë të dokumenteve që zbulojnë identitetin dhe moshën e refugjatëve, është e vështirë të përfundosh të dhëna të sakta,” tha Martina Prokl nga JRS.
Fëmijët që qëndrojnë me prindërit e tyre, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës për azil, duhet të bëjnë teste që të përfshihen në programin shkollor, i cili fillon me 70 orë mësime përgatitore. Fëmijët e moshës parashkollore mund të shkojnë në parashkollor ose kopshte.
Meqenëse jeta në qendrat e pritjes mund të jetë e vështirë për azilkërkuesit, JRS ofron mbështetje për familjet, duke u fokusuar tek gratë dhe fëmijët si grupet më të prekshme.
Ata ofrojnë kurse gjuhe, informojnë refugjatët dhe emigrantët për të drejtat e punës dhe organizojnë socializime me vendasit dhe më shumë.
Çështja e përfshirjes së fëmijëve në shoqëri, si dhe kujdesi shëndetësor ose arsimi po përparon në Kroaci.
“Sot është shumë më mirë sesa ka qenë disa vite më parë, por ende nuk ka zgjidhje të mira sistematike,” tha për BIRN Sara Kekus, nga Qendra Kroate për Studime të Paqes, CMS, një OJQ për të drejtat e njeriut.
Fëmijët e pashoqëruar përballen me probleme të veçanta. Ata nën 14 vjeç janë dërguar në një shtëpi për fëmijët e braktisur dhe ata mbi 14 vjeç përfundojnë në institucione korrektuese për fëmijët dhe të rinjtë – zakonisht të përqendruar te fëmijët dhe të rinjtë me çrregullime të sjelljes dhe personalitetit.
“Ky është një problem, sepse këta fëmijë klasifikohen automatikisht si grup problematik,” tha Kekus.
Ndërsa të miturit e pashoqëruar përpiqen të bashkohen me familjet e tyre, shumë shpejt lënë Kroacinë për t’u bashkuar me të afërmit e tyre në Europën Perëndimore.