Zyrtari amerikan: Edhe politikanëve shqiptarë mund t’u mohohen vizat amerikane

Drejtori i zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore Thomas Yazdgerdi deklaron se Shqipëria e gjen veten përballë një reforme madhore në drejtësi.

I pyetur nëse do t’u ndalohet hyrja në SHBA edhe e politikanëve shqiptarë, Yazdgerdi thotë se në Shtetet e Bashkuara një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri.

Nëse perceptimi në Shqipëri është se politikanët janë po aq të korruptuar sa edhe gjykatësit e prokurorët, a pritet të shohim mohim vizash edhe për ta?

Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar.

Zoti Yazdgerdi, sot është 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Në vitin 1991, Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe i varfër. Vendi ka përparuar gjatë këtyre 25 vjetëve, por a e ka arritur Shqipëria potencialin e saj të zhvillimit? Cili është vlerësimi i Uashingtonit?

Është kënaqësi për mua të jem i pranishëm në këtë përvjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Por që t’i përgjigjem pyetjes suaj, çdo vend pa dyshim duhet të realizojë potencialin e tij të plotë. Nëse i hedh një vështrim Shqipërisë, përparimi i arritur gjatë kësaj kohe është mbresëlënës. Këtë e them edhe nga përvoja personale, pasi unë kam shërbyer në Tiranë nga viti 2000 deri më 2002. Edhe nga ajo kohë e deri sot përparimi ka qënë i madh. Pozita e Shqipërisë në rajon dhe në botë është riafirmuar si vend i njohur për tolerancën fetare, një vend anëtar i NATO-s dhe që përparon drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Çdo vend mund të arrijë një potencial më të madh, edhe Shtetet e Bashkuara, në këtë kuptim. Në Shqipëri, ajo që presim të shohim sot, është konsolidimi i reformave më të thella. Kur isha në Shqipëri, vendi ishte ende duke dalë nga trauma e shkatërrimeve të skemave piramidale. Më parë, rreziku kryesor për Shqipërinë ka qënë destabilizimi i brendshëm, gjë që sot është kapërcyer, nuk përbën më shqetësim. Ajo që duhet sot është thellimi i reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit.

Para se të ndalemi tek reformat, dua t’ju pyes për marrëdhëniet ekonomike. Para pak kohe Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për partneritet strategjik. Zyrtarë të dy vendeve thonë se marrëdhënet janë të shkëlqyera, por në ekonomi nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Përse mendoni se mungojnë investimet amerikane në Shqipëri, është ajo një treg i vogël apo klima për investime nuk është aq e favorshme për shkak të korrupsionit?

Mendoj se është një kombinim faktorësh. Është ajo që përmendët ju, që Shqipëria është një treg i vogël dhe nga ana tjetër, kur kompanitë amerikanë shqyrtojnë mundësinë e investimit në Ballkan, ato e shikojnë investimin në një kontekst rajonal. Kompanitë mund të tërhiqen nga tregu i kualifikuar i punës në Shqipëri, apo nga kostoja e lirë e punës, por që kjo të ndodhë, duhet të ketë një strukturë të qartë të sundimit të ligjit, që nuk do të lejonte shkeljen e kontratave. Nëse ka një gjë, së cilës i kushtojnë rëndësi drejtuesit e bizneseve, është qartësia e klimës së investimeve, ekzistenca e shtetit ligjor dhe e një sistemi drejtësie që vepron me objektivitet.

Le të ndalemi tek reforma e drejtësisë. Sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, reforma në drejtësi është në qendër të përparësive të politikës së Uashingtonit ndaj Shqipërisë. Pritshmëria ishte që reforma të miratohej gjatë muajit mars. A pritet të ndodhë kjo?

Ne shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Mendoj se të dyja palët janë pranë. Ato e kanë të qartë se rëndësia e kësaj reforme nuk u duhet lënë sherreve politike dhe përpjekjeve që njëra parti të fitonte pikë ndaj tjetrës. Qytetarët shqiptarë duan një sistem drejtësie të pakorruptuar. Ne jemi të përfshirë intensivisht së bashku me kolegët evropianë, që figura e gjykatësit të kontrollohet dhe të verifikohet, që gjykatësi të jetë i kualifikuar, të mos jetë i korruptuar dhe që njerëzit të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Kjo do të ketë ndikim në të gjithë shoqërinë shqiptare, por edhe tek investitorët e huaj. Shpresojmë se do të ndodhë sa më shpejt dhe po e inkurajojmë këtë.

Pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, kanë filluar përplasjet politike, që përmendët ju dhe opozita ka paraqitur një listë me vërejtje e kundërshtime, që disa thonë se kanë të bëjnë me thelbin e reformës. A jeni i shqetësuar se për shkak të ndërhyrjeve e përplasjeve politike, ajo që do të dalë, do të jetë një variant jo aq i thellë reforme dhe rezultati mund të ishte pak a shumë i njëjtë me atë që është sot?

Shpresojmë që jo. Ne kemi besim se udhëheqja e partive kryesore, dy partive në pushtet dhe e partisë demokratike, do ta kuptojnë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë dhe për kursin që Shqipëria do të ndjekë në të ardhmen. Ne do të shpresonim që ata të lënë mënjanë përplasjet politike dhe të përqëndrohen në atë që duhet bërë. Në politikë, siç e dimë të gjithë, për të patur sukses, duhet të bësh kompromis. Të dyja palët duhet të bisedojnë. Ne dhe kolegët tanë evropianë, jemi të gatshëm të ndihmojmë me ekspertizën tonë, me idetë tona, por në fund të fundit, janë të dy palët që duhet të arrijnë kompromis për realizimin e saj.

Shtetet e Bashkuara u investuan për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, madje si bashkë-autore e ligjeve. Kjo është një çështje tjetër e komplikuar dhe është bërë tashmë pjesë e reformës. Por, a ka filluar Amerika të trajnojë pjesëtarët e ardhshëm të kësaj njësie?

Është e rëndësishme që qeveria të arrijë të miratojë, me sa më shumë mbështetje që mundet, ligjet përkatëse për këtë byro. Ne e dimë se qeveria është e interesuar për të patur një Byro Kombëtare Hetimi, pak a shumë si FBI-ja amerikane. Ne mendojmë se kjo është një ide e mirë dhe e mbështesim atë. Ajo do të merrej me ndjekjet penale të nivelit të lartë, me korrupsionin në nivele të larta. Kjo është e rëndësishme. Kjo është e lidhur me reformën në drejtësi, pasi një byro e fortë hetimore kërkon edhe një sistem të fortë drejtësie, që do të merrej me akuzat që do të ngriheshin. Ne shpresojmë që qeveria të miratojë ligjet përkatëse për këtë strukturë.

A shpresoni ju që ligjet për këtë strukturë do të miratohen përpara atyre të reformës në drejtësi, apo së bashku me të?

Nuk ka një rend të veçantë për këtë. Ato nuk varen nga njëra-tjetra. Mund të miratohen së bashku.

Megjithatë, a kanë filluar tashmë Shtetet e Bashkuara të trajnojnë zyrtarët shqiptarë?

Nuk jam i sigurt për këtë. Ambasada në Tiranë mund të dijë më shumë. Por nga këndvështrimi ynë do të kishte kuptim një gjë e tillë, që me t’u krijuar kjo strukturë, ne të ishim në gjendje të ofronim sa më shumë mbështetje duke trajnuar pjesëtarët e kësaj strukture. Synimi i BKH është që të hetojë korrupsionin në nivelet e larta, që deri sot nuk e kemi parë të ndodhë.

Përse duhet ta miratojnë politikanët krijimin e FBI-së shqiptare, kur ajo mund të veprojë kundër tyre?

Nëse do të ndodhte kështu, do të ishte një sfidë. Por ne shpresojmë. Thelbi i udhëheqjes, dhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është që të bëhen gjëra, sidomos nga partitë në koalicionin qeverisës, që të jenë në të mirë të vendit. Mund të jetë e vështirë, nuk është e lehtë, por ata kanë mbështetje të madhe nga popullsia shqiptare. Populli shqiptar e mbështet këtë përpjekje.

Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se nuk do t’u japin viza disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për korrupsion. A do të shtrihet kjo praktikë edhe tek politikanët?

Do të varet nga shqyrtimi i fakteve nëse një gjë e tillë është e justifikuar apo jo. Në rastin e gjyqtarëve atyre u janë mohuar vizat dha baza e këtij mohimi ka qënë korrupsioni. Në Shtetet e Bashkuara një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri.

Nëse perceptimi në Shqipëri është se politikanët janë po aq të korruptuar sa edhe gjykatësit e prokurorët, a pritet të shohim mohim vizash edhe për ta?

Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar.

Deri tani Shqipëria ka pritur 1 mijë prej tyre dhe thuhet se do të presë edhe 2 mijë të tjerë? A është ky numri që pritet?

Ka ende negociata me UNHCR dhe organizata të tjera për numrin e saktë. Ne jemi të kënaqur që qeveria shqiptare ndan të njejtin shqetësim me ne, që këta persona të mbrohen. / VOA

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *