Zbardhet debati i plotë Rama-Blushi: Ja çfarë i thanë njëri-tjetrit

GRAMOZ RUÇI: Unë nuk mund të bëj sikur nuk ka ndodhur gjë. Ashtu si ju të gjithëve, edhe mua më ka ardhur një kërkesë për të ashtuquajturin incident në Elbasan. Sigurisht, nuk pajtohem me dhunën, por duhet të kemi parasysh se ai ishte një aktivitet i partisë për anëtarësimet e reja në qarkun e Elbasanit. Unë nuk do doja që ta diskutonim këtë çështje në grupin parlamentar, që nuk e ka tagrin për të bërë gjykatësin për aq kohë sa kjo ka ndodhur në Elbasan. Ne mund ta diskutojmë këtë çështje në mbledhjen e asamblesë kombëtare ose në asamblenë e Elbasanit. Por nuk mund të marrim kohën në grup. (Kërkon fjalën deputetja Mimoza Hafizi)

GRAMOZ RUÇI: Ju lutem, ndaj fola vetë i pari për këtë çështje dhe do të kërkoja nga ju që të mos zgjateshim në këtë pikë.

MIMOZA HAFIZI: Zoti Ruçi, unë dua të them opinionin tim për këtë çështje. Nuk është normale ajo që ka ndodhur në Elbasan. (Kërkon fjalën Arta Dade. Ruçi refuzon t’ia japë, por Dade fillon të flasë.)

ARTA DADE: Ajo që po ndodh është shumë e turpshme. Vetëm në kohën e Berishës, deputetët janë dhunuar kështu. Si mundet që ne te kemi mbërritur në pikën për ta sulmuar një kolegun tonë deri edhe fizikisht?! E kam më shumë me kolegët që janë rrahur si unë, nga Berisha. Ju Anastas dhe Musa, si socialistë të vjetër, si nuk ndërhytë në këtë ngjarje, si mundët ta lejonit të ndodhte një gjë e tillë?!

ANASTAS ANGJELI: Arta, të lutem mos më përmend emrin, fol për vete. (Ben Blushi kërkon fjalën)

GRAMOZ RUÇI: Ju kërkoj që të mbyllim debatet këtu, se nuk mundet ta zgjidhim këtë çështje në grup.

BEN BLUSHI: Më jepni fjalën. Çfarë po ju kërkoj?! Dua të them opinionin tim. Nuk është burrëri që të mos më japësh fjalën. Është e vërtetë që unë vajta i paftuar. Por ka dy vjet që unë nuk njoftohem. Mua nuk më vjen më asnjë e-mail, as një SMS në telefon. Por njerëzit atje nuk kanë faj. Fyerjet ndaj meje janë frymëzuar nga këtu brenda. Ata 15 banditë që bërtisnin, se nuk ishin më shumë, ishin të urdhëruar ta bënin një gjë të tillë. Por unë i kam falur ata. Ka një frymë urrejtjeje. Unë kam ngritur zërin se ka elementë të tillë kudo, edhe në këtë grup parlamentar. (Në këtë moment ka ndërhyrje të shumta nga deputetët e tjerë që kërkojnë të marrin fjalën)

BEN BLUSHI: Çfarë po kërkoj?! Po ju kërkoj të ketë zgjedhje për kryetarin? Dhe kjo është gabim?! Ju po mbroni kriminelët. Kjo parti mbron kriminelët dhe sulmon ata që kërkojnë votime. (Reagon ashpër kryeministri Rama. I nxehur shtyn gotën e ujit që ka pranë. Gota përfundon tri metra larg në mes të tavolinës, rrëzohet dhe derdhet uji)

EDI RAMA: Shpifës. Ti je shpifës. Ke dy vjet që flet për kriminelë brenda partisë. Ku i ke emrat, trego emrat e kriminelëve. Ja ku i ke deputetët. Cili prej tyre është kriminel?! Ke dy vite që përdor gjuhën dhe akuzat e Saliut. Sot është dita që t’i tregosh këtij grupi kush janë kriminelët, sipas teje. Por, para se ta bësh një gjë të tillë, po të deklaroj me përgjegjësi që asnjë deputet i PS-së nuk ka në veprimtarinë e tij asnjë vepër apo çështje që lidhet me ligjin e dekriminalizimit. Tani, meqenëse ligji u miratua, ti duhet t’i kërkosh falje grupit parlamentar.

BEN BLUSHI: Kriminelët i solle ti në këtë parti dhe i mbron ti. Do të duhet kohë që ta shlyejmë këtë damkë që i është vënë partisë. Ti mbron një deputet që ka plagosur 4 njerëz. A është kriminel një njeri që mban armë pa leje? Kam gabim edhe këtë?

TAULANT BALLA: Ti Blush po gënjen. Armando Prenga nuk është më anëtar i grupit parlamentar dhe as anëtar i partisë.

EDI RAMA (Ndërhyn i nxehur e me tone të larta duke iu drejtuar Blushit): Përsëri ti shpif, siç bën gjithmonë. Më thuaj një herë të vetme që ne e kemi mbrojtur deputetin në fjalë. Përsëri të them, më thuaj emrat e atyre që sipas teje janë kriminelë në këtë grup. Je një ngatërrestar i pakorrigjueshëm. Që, siç fyeve socialistët në Elbasan, fyen çdo ditë kolegët e këtij grupi parlamentar. Sa për Elbasanin, më lejoni t’ju sqaroj ngjarjen: 30 minuta para se të fillonte takimi, Taulant Balla më ka telefonuar dhe më ka thënë që Blushi ka dalë dhe ka deklaruar se do vijë në takimin e Elbasanit dhe do të marrë dhe fjalën. I kam kërkuar që të kontaktojë me të dhe t’i pranojë çdo kërkesë që ai ka, përfshirë këtu edhe nëse do të flasë.

BEN BLUSHI: Ti nuk ke burrëri as deri te taka e këpucës.

EDI RAMA: Ti je një rrugaç, një vagabond.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *