Zbardhen dokumentet: Ramiz Alia çoi 4 ton ar në Zvicër në ’90

Disa dokumente të publikuara sot tregojnë se në periudha të ndryshme gjatë vitit 1990 nga Banka e Shqipërisë janë transportuar drejt dy bankave zviverane pako me peshë rreth 4 ton. Faturat tregojnë se Banka e Shqipërisë ka rezervuar vendin në avionin e transportit të shoqërisë “Swissair”. Kolitë janë marrë në dorëzim nga “Union Bank of Switserland” dhe “Credit Suisse”. E përditshmja që i publikoi këto dokumente, “Gazeta Shqiptare” shkruan se janë 4 tonë ar të depozituara në bankat e Zvicrës, por nuk është e mundur të investigohet më tej për arsye të sekretit që ruajnë bankat e Zvicrës.

Shkresa që kërkonte sigurimin e vendit në avion mban firmën e ish-Drejtorit të Bankës së Shtetit, Qirjako Mihali, njëkohësisht një nga anëtarët e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Gjurmë për përmbajtjen e këtyre dërgesave mund të gjenden sot në arkivin e Bankës së Shqipërisë, por GSH shkruan se Guvernatori Sejko nuk ka pranuar të presë gazetarin Artur Çani.

Në dokumentet e publikuara nuk shkruhet në asnjë vend se kolitë përmbanin flori, por kjo konsiderohet si e mirëqenë. Sipas GSH, vlera e arit të dërguar në atë kohë në Zvicër arrinte në 150 milionë dollarë amerikanë. Në bankat e Zvicrës është e mundur të depozitosh jo vetëm monedha e karmonedhe, por edhe sende me vlerë, sikurse janë metalet e çmuara, ku përfshihet edhe ari. Gjithashtu mund të depozitohen edhe sende që kanë nevojë për një ruajtje të posaçme, sikurse mund të jenë kaseta filmike, dokumente e shumë gjëra të tjera të këtij lloji, deri edhe matricat për prodhimin e kartmonedhave. Bankat shpeshherë nuk janë vetëm ruajtëse të depozitave dhe metaleve të çmuara, por edhe të sekreteve të mëdha.

Gjithësesi, dokumentet hedhin dritë mbi marrëdhëniet që shteti komunist mbante me vendet e damkosura si “borgjeze”, që për njerëzit e thjeshtë në atë kohë mund të përbënte një çudi. Në atë kohë, vendin e drejtonte i ndjeri Ramiz Alia, pasardhës i Enver Hoxhës.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *