Verifikimi elektronik, Manjani: KQZ-ja ka dështuar

Verifikimi elektronik, Manjani: KQZ-ja ka dështuar

Në një konferencë për shtyp nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, deklaroi: “Jam sot në këtë komunikim me ju dhe me opinionin publik për çështje të atilla që kanë të bëjnë me dështimin total të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por jo vetëm, qeverisë shqiptare gjithashtu dhe të pushtetit vendor në lidhje me këtë fazë përfundimtare të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Konkretisht, në Shqipëri ka dështuar për faj ekskluziv të qeverisë shqiptare dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve procesi i verifikimit elektronik të kartës në Tiranë, njëra prej dy risive teknologjike që ishin miratuar me shumë konsensus dhe me shumë dashamirësi nga partitë politike, nga Parlamenti shqiptar. Gjë kjo që praktikisht e vendos në vështirësi procesin e verifikimit ose heqjen e dyshimeve për karta false e kështu me radhë.

Sidoqoftë, është një çështje e zgjidhur dhe unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje gjithë punonjësve të strukturës zgjedhore, anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit duke filluar nga anëtarët e LSI-së të tregojnë kujdes dhe përkushtim maksimal për të verifikuar qartë dhe në mënyrë të ndershme zgjedhësit që paraqiten për të votuar vetë në qendrën e votimit, me dokument identiteti, pra letërnjoftim elektronik ose kartë elektronike dhe pasaportë biometrike për të përmbushur kështu një detyrë ligjore, detyrë, të cilën nuk e përmbushi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përkundrazi, harxhoi 2 milionë euro për një detyrë të pabërë dhe përveçse dëmton procesin zgjedhor i ka shkaktuar dëm ekonomik këtij shteti, dëm, të cilin pas zgjedhjeve dikush do ta paguajë? Jua garantojmë këtë që dikush do ta paguajë.

Kjo është e para. E dyta, po vëmë re shenjat e para të personave të degjeneruar në pushtet që kanë administruar fonde publike në këto 8 vjet në tentativat e para për të joshur votues, për të blerë vota, apo për të krijuar situata të tilla, të cilat, sipas ligjit penal, i hartuar me konsensus të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe gjithë partive politike, janë vepra penale të ndëshkueshme. Dhe jam këtu sot për të bërë thirrje që kushdo që tenton të përdorë para apo mjete të tjera për të joshur zgjedhësit në ditën e votimit është i ndëshkueshëm penalisht. Jua garantojmë edhe këtë që do të ndodhë, jo për hakmarrje, por për drejtësi, sepse është momenti që të flasë ligji, është momenti që të flasë drejtësia”, – u shpreh nënkryetari i LSI-së.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *