Tomor Alizoti: Politika po e bën këtë vend të heshtur si morg

Tomor Alizoti: Politika po e bën këtë vend të heshtur si morg

Më poshtë komenti i Tomor Alizotit për harresën ndaj të kaluarës që politika ka mbjellë në shqëri:

“Janë përherë e më të rralla ditët ku ne si shoqëri ndjehemi krenarë për veprimet tona. Sot është një prej tyre! Njëzet e shtatë vjet më parë pakkush nuk qe i ngazëllyer për drejtimin që po merrte vendi.

Ende sot kujtoj lotët e gëzimit të prindërve të mi ndërsa dëgjonin se si busti i kriminelit që vrau dhe persekutoi me mijëra shqiptarë, u plandos në shesh sepse një popull i tërë kish kuptuar që marrëzia e tij na kish çuar në fundin e greminës.

Fatkeqësisht sot, kujtesa dhe memoria po zvenitet nën thirrjet e revolucionarëve që, nën petkun e rilindjes apo metaforave të tjera, risjell në mendje errësirën e diktaturës duke i veshur këngë dhe hare. Politika dhe intelektualët përditë e më shumë po varrosin kujtesën dhe memorien e të djeshmes aq sa sot vështirë të gjesh një mesazh nga qeveria e jo vetëm për këtë ditë të shënuar.

Një heshtje që kobshëm më sjell ndërmend fjalët e Havelit: “Me të vërtetë, vendi është i heshtur. I heshtur si një morg ose si një varr, apo jo?””