Skenarët/ Propozimi për Visho Ajazin si Ambasador dhe preçedenti me …

Skenarët/ Propozimi për Visho Ajazin si Ambasador dhe preçedenti me …

Kryeministri Edi Rama duket se ka vënë para një fakti të kryer jo vetëm deputetët socialist, por edhe Presidentin Ilir Meta, në lidhje me propozimin për emërimin e Visho Ajazi Likës, ish-kreu i SHISH-it, në postin e Ambasadorit të Shqipërisë në NATO. Pasditen e së hënës, Kryeministria njoftoi propozimin që i është dërguar Kreut të Shtetit, ndërsa burime qeveritare theksojnë se nuk ka pasur më parë një konsultim mes Kryeministrit dhe Presidentit për këtë çështje. Në bazë të Kushtetutës, fjalën e fundit për emërimin e ambasadorëve e ka Presidenti, i cili mund të dekretojë ose jo propozimin. Nëse Kreu i Shtetit do të miratojë propozimin, pra nëse do të nxjerrë një dekret, atëherë kandidati për Ambasador mund të marrë zyrtarisht detyrën.

Por çfarë ndodh nëse Presidenti nuk miraton propozimin?

Në këtë rast kandidatura mund të luajë rolin e të ngarkuarit me punë, pra diplomati nuk është në rang Ambasadori. Një situatë e tillë ndodhi në rastin e Visar Zhitit, ish-deputet i PD-së, i propozuar nga Edi Rama për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan. Por propozimi nuk u dekretua nga Kreu i Shtetit dhe si përfundim Zhiti morri detyrën si i ngarkuar me punë, pozicion ky që varet drejtpërsëdrejti nga Ministria e Jashtme dhe nuk ka nevojë për dekretin e Presidentit.

Ndoshta në rastin konkret me Visho Ajazin një situatë e tillë mund të mos përsëritet, pasi pozicioni për të cilën është propozuar ka të bëjë me NATO-n, që përbën edhe aleancën më të madhe ushtarake dhe politike. Kjo do të thotë se përfaqësimi i Shqipërisë nuk mund të jetë në nivelin e të Ngarkuarit me punë, sikundër mund të ndodhë me diplomatë në shtete të caktuara. Në kushte të tilla njëra nga palët do të lëshojë pe: ose Presidenti do të çertifikojë kandidaturën e ish-kreut të SHISH ose Rama do të duhet të tërhiqet nga ky propozim. /gjergji koja-syri.net/

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone