Shpëtim Idrizi shpërthen kundër qeverisë: Po bëhet marrëveshje kulisash kundër çështjes çame

Shpëtim Idrizi shpërthen kundër qeverisë: Po bëhet marrëveshje kulisash kundër çështjes çame

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka thyer heshtjen që pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërsa ka folur për kulisa të shtetit për të zhdukur faktorin politik të forcës që përfaqëson.

Idrizi tha se vetëm me votat e çamëve, PDIU pa frikë do të kishte në Kuvend, 7 deputetë.

Duke mos përmendur emra konkrete, kreu i PDIU-së tha se qarqe të caktuara kanë lëvizur të gjitha gurët për të goditur politikisht partinë e çamëve. Këto deklarata Idrizi i bëri gjatë një aktiviteti ku përkujtohej 27-vjetori i shoqatës “Çamëria”.

“Ne, që kishim fatin e privilegjin te ishim ligjvënësit e Çamërisë jemi akti i fundit i ndëshkimit të pabesisë që zgjodhën si helm për të na e dhënë ta pinim, teksa ngrinin shëndete dhe përbetoheshin për Shqipërinë, përbetoheshin për Çamërinë.

Është pa dyshim e hidhur ta kuptosh rengun që të kanë bërë jo ty, jo disa deputetëve, jo një partie politike, por shqiptarëve të kësaj krahine martire që nuk ngopen duke i vrarë dhe rivrarë.

Dikur greku përdorte bandat e Napoleon Zervës për t’i masakruar, therrur, sot përdor marrëveshjet e kulisave me politikanët tanë e dy fytyrave që luftën për pushtet e kanë mbi prosperitetin e Shqipërisë ,e jo më të mbajnë Çështjen Çame. Një fytyrë e mbajnë të qeshur për ne, tjetrën të bindur para kërcënimeve të Athinës.

Shihni ku jemi sot; i kanë ndarë shqiptarët sikur të ishin dy popuj, populli opozitar dhe mazhoritar që i kacafysin për karriket e tyre jo një herë në katër vjet, por çdo ditë”, tha Idrizi.

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone