Shenasi Rama: Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme

Veprimtari shqiptar në SHBA, Shenasi Rama, mendon se kriza politike në Shqipëri ka avancuar në një pikë pa kthim. Si vëzhgues i hollë dhe permanent i zhvillimeve politike në Tiranë dhe Prishtinë, Shenasi Rama paralajmëron se Shqipëria po shkon gradualisht drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimit të një qeverie me bazë të gjerë.

Rama gjithçka e lidh me reformën në drejtësi dhe llogaritë e Parisë së Tiranës, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Në një postim në rrjetin social Facebook, Shenasi Rama paralajmëron pamundësinë e miratimit të reformës në drejtësi, duke konstatuar distancimin nga reforma të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ai pohon se Ilir Meta u shpreh pro reformës në drejtësi, por të gjitha palët e tjera, janë kundra. Rama është i bindur se reforma në drejtësi nuk do bëhet, pasi gjithë është një lojë e Parisë së Tiranës.

Sipas tij, Sali Berisha shpalli bojkotin e Kuvendit për dy arsye; për të mos votuar reformën në drejtësi si dhe për të nxjerrë Lulzim Bashën jashtë loje nga Partia Demokratike. Sipas Ramës, Lulzim Basha tashmë i ka ditët e numëruara në krye të PD. Nga ana tjetër, Partia Socialiste është përfshirë nga një krizë e brendshme dhe komplekse, me disa linja. Rama thotë se Partia Socialiste tashmë është kthyer në një bandë e ngjashme me bandat katunare. Sipas tij, të gjitha këto zhvillime pritet të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimit të një qeverie me bazë të gjerë. Rama thekson se Lëvizja Socialiste për Integrim do ta braktisë Partinë Socialiste në momentet e fundit.

Ish-studenti i Dhjetorit dhe themeluesi i PD mendon se të njëjtin fat do të kenë edhe reformat e tjera, sidomos ajo zgjedhore. Edhe në intervistën e fundit për gazetën SOT, Shenasi Rama ka paralajmëruar skenarin e zgjedhjeve të parakohshme. “Kjo lojë me të futur e me të hequr luhet brenda partive e me numra brenda koalicionit qeverisës. Reaksioni do të vijë nga Ilir Meta dhe nga Sali Berisha, që do të minojnë kontrollin e Lulzim Bashës mbi Partinë Demokratike dhe që, në rast se e ndjejnë veten të rrezikuar, do të çojnë vendin në zgjedhje të përkohshme. Në rast se kalohet një strukturë e dobët dhe e kontrollueshme, do të shtyhet sherri dy javë, por sërish do të shpërthejë”, ka deklaruar Rama.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *