Ruçi: Nëse Rama nuk zgjidhet kryetar, PS rrezikon zgjedhjet në 2017-ën

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kërkon me patjetër konfirmim të Edi Ramës si kryetar partie në Kongres ose fill pas tij, pasi në të kundërt kjo do ta dëmtonte këtë forcë politike në garën e ardhshme parlamentare.

Duke folur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të ditës së mërkurë, kreu i deputetëve socialistë ka pranuar se debati për mandatin e kryetarit ka dëmtuar partinë dhe se kjo gjë duhet të rikuperohet me patjetër, në mënyrë që t’i hiqet çdo argument opozitës si mjet kundër në zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk mund të vesh në betejën e ardhshme elektorale me integritet moral dhe politik të cunguar të lidershipit të partisë, që është kryetari. Ky është shërbimi më i madh që mund t’i bësh kundërshtarit. Po të isha unë, do bëja vetëm një gjë: Mocion mosbesimi. Po, do ta bëja që çke me të. Ky s’e ka në dorë këtë, ky ka në dorë atë që bëri, që tha më plasët shpirtin, keni 9 muaj dhe unë kërkoj mocion besimi. Doni statutin ky është Statuti dhe këto janë rregullat në parti. Ça të bëjë ky, ça të bëjë?”, – tha Ruçi në fjalën e tij.

Prandaj ai i ka kërkuar atyre që kërkojnë zbatimin e Statutit të ndërmarrin nismën e mocionit të mosbesimit në Kongres, në të kundër vetë Rama sipas tij duhet të kërkojë mocion besimi.

“Nëse keni merakun për Statutin unë jam plotësisht dakord që ata që e inspirojnë ta institucionalizojnë me mocion mosbesimi në Kongres sipas Statutit dhe nëse nuk doni të ecni me këtë frymë, ky burri e ka shumë në rregull dhe që kjo punë të marrë fund një herë e mirë me mocion besimi. Po, s’ka rrugë tjetër. Ne nuk mund të vemi që të mbaroj dhe kongresi dhe të vazhdojë historia dhe ne të shkojmë në zgjedhje duke ngrënë njëri-tjetrin”, – theksoi Ruçi.

Më tej, ai shtoi se kur mbeten dhe pak më shumë se 1 vit nga zgjedhjet parlamentare, PS në këtë gjendje është e papërgatitur për t’i fituar ato.

“Edhe në parlamentin shqiptar diskutohet parlamenti i PS-së. Prandaj unë e ka pasur problem dhe nuk jam aspak dakord që ne për një vit vemi në zgjedhje dhe që të vesh në zgjedhje të duhen fryma, organizimi dhe veprimi politik. Deri më sot as frymën, as organizimin dhe as aksionin politik s’e kemi. Ku do vemi? Për këto duhet të jemi të shqetësuar ne. Dhe kjo nuk i forcon këto. Atëherë kjo është t’ia japësh në tavolinë kundërshtarit”, – tha Ruçi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *