Reforma zgjedhore, 46 parti të vogla i dërgojnë letër Presidentit dhe ambasadorëve

Rreth 46 parti politike, të ashtuquajtura të vogla, të majta dhe të djathta, kanë ndërmarrë një lëvizje kundër dy partive të mëdha, PS dhe PD. Partitë e vogla janë përfshirë nga një mosbesim i madh sa i takon fatit të tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partitë e vogla kanë mbledhur firmat e të gjithë krerëve të 46 partive dhe i janë drejtuar dje me një letër kreut të shtetit, Bujar Nishani, Parlamentit dhe ambasadorëve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, konkretisht që sistemi zgjedhor proporcional rajonal të shoqërohet me korrektim kombëtar duke vlerësuar votat e të gjithë shqiptarëve për çdo subjekt politik dhe mundësinë e përfaqësimit real të tyre në institucionet që prodhojnë zgjedhjet.

“Të vetëdijshëm se Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarde për të konsoliduar bazën e themelit të sistemit demokratik, duke ngjallur shpresën dhe besimin se vetë shqiptarët duhet të kapin kohën e humbur dhe të zgjedhin fatet e tyre. Të bindur se ligji zgjedhor me sistem proporcional rajonal, pa korrektim, shtrembëron në mënyrë të ndjeshme vullnetin e zgjedhësve shqiptarë dhe duke copëzuar votat padrejtësisht lë pa përfaqësim real partitë, duke zhvlerësuar votat e 1/3 së shqiptarëve.

Duke shqyrtuar vlerësimet dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR dhe të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë mbi zgjedhjet në Shqipëri, me ndjeshmërinë e çdo qytetari dhe jo vetëm të drejtuesve politikë, i drejtohemi Kuvendit të Shqipërisë që Komisioni për Reformën Zgjedhore të konsiderojë kërkesat tona”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e 46 partive.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *