Rama e pranon vetë: Nëpër zyra kemi grabitqarë dhe parazitë

Rama e pranon vetë: Nëpër zyra kemi grabitqarë dhe parazitë

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Elbasan në kuadër të atij që e quan si bashkëqeverisja me qytetarët, tha se në zyrat e shtetit vazhdojnë të kemi grabitqarë dhe parazitë.

“Vazhdojnë të kemi gjithfarë parazitësh dhe grabitqarësh në zyrat e shtetit”, tha Rama, i cili prej 5 vjetësh ndodhet në qeverisjen e vendit.
Rama tha se shërbimet ndaj qytetarëve duhet të jepen në kohën e duhur, ndërsa ftoi qytetarët që të vazhdojnë të shkruajnë tek platforma dhe të harxhojnë 10 minuta për problemin e tyre.

“Harxhoni 10 minuta për t’iu drejtuar platformës dhe prisni 10 ditë për të marrë përgjigje për problemin tuaj. Mos harxhoni kohën për të gjetur sekserët për të zgjidhur një problem. Une e di problemin, shkoni tek ALUIZNI dhe merrni dokumentin, shkoni në Hipotekë dhe nuk e merrni. i kam parë mirë dosjet, mbi 4 mijë në hipotekën e Elbasanit që i mbanin në tavolina dhe nuk veprohej”, tha Rama.

Ajo që ra në sy gjatë aktivitetit ishte se të gjitha problemet e qytetarëve çuditërisht ishin zgjidhur sot.

“Ja merre çertifikatën e pronës, pasi dy rrugë kishte ose ti do merrje çertifikatën sot, ose drejtori i Hipotekës ikte nga detyra, se po këta drejtorët kur s’punojnë të marrin në qafë ty si qytetar edhe mus si Kryeministër, se nuk më voton njeri”, tha Rama.