Qeveria reformë rrënjësore në administratë, gati dy ligje të reja për spastrimin e militantëve

Qeveria reformë rrënjësore në administratë, gati dy ligje të reja për spastrimin e militantëve

Administrata publike do t’i nënshtrohet një reforme rrënjësore në muajin shtator. Qeveria e re, e kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të ketë si objektiv kryesor ndalimin me ligj të punësimit të militantëve, kufizimin e rolit të funksionarëve politikë, ristrukturimin dhe rritjen e performancës së administratës, për të krijuar kushtet e nevojshme për një administratë efikase, profesionale dhe që t’u përgjigjet sa më mirë kërkesave të qytetarëve.

Gazeta “Sot” ka zbardhur axhendën e qeverisë për legjislaturën e re parlamentare, që do të nisë në muajin shtator. Janë dy projektligje për administratën që priten të diskutohen në sesionin e ri parlamentar, nisma të cilat do të ndalojnë me ligj punësimin e militantëve dhe do të përcaktohen rregulla të reja për punësimin në administratën publike. Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës publike” do të përcaktojë rregulla dhe kritere të forta për punësimin e individëve të aftë jo politikë në postet publike. Kjo synon që të rrisë efiçencën e plotë të administratës, edhe në kuadër të sfidave të procesit të integrimit europian. Ndërsa projektligj “Për statusin e funksionarëve politikë dhe të anëtarëve të kabineteve ndihmëse të institucioneve të pavarura” që pritet të diskutohet në shtator, synon të kufizojë rolin e funksionarëve politikë për të punësuar në administratë persona që mbështesin një forcë të caktuar politike. Pas miratimit të këtyre dy drafteve, i hapet plotësisht rruga punësimeve në bazë të meritokracisë në administratë. Nëse këto nisma do zbatohen siç duhet, administrata do të punësojë në gjirin e saj individë efiçent, që nuk do të rrinë kafeneve derisa t’u vijë ora për t’u larguar për në shtëpitë e tyre. Ligjet janë gati dhe në vjeshtë pritet miratimi i tyre.

Vlerësimi i administratës

Në kuadër të reformës do të vlerësohen të gjithë punonjësit aktualë, për përformancën e punës së tyre, ashtu siç është bërë me drejtorët të cilët rëndom janë individë që vijnë nga parti politike. Kryeministri Rama ka paralajmëruar se vlerësimi i performancës me një sistem efikas si për institucionet edhe për punonjësit, është një nga sfidat reale të mandatit që vjen. Ai ka thënë se synohet të rivitalizohet e gjitha puna e administratës, duke e nxjerrë atë nga një lloj apatie e krijuar si rezultat i rutinës së përditshme burokratike dhe duke e orientuar drejt realizimit të projekteve strategjike të zhvillimit. Por reforma në administratë vjen edhe si derivat i marrëdhënieve jo të mira që u krijuan mes PS dhe LSI gjatë dy viteve të fundit. LSI mori shumë poste publike në administratë, sidomos në rang drejtorësh. Kjo shkaktoi pakënaqësi te socialistët që kërkonin punë. LSI uzurpoi të gjitha hallkat e shtetit duke nxjerrë jashtë loje ata që kontribuuan për PS. Në këto kushte, Rama ka vendosur të nxjerrë ligje që të ndalë punësimet militanteske qoftë nga LSI e PS, dhe administrata t’u takojë njerëzve të aftë dhe me integritet moral dhe profesional.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *