Qeveria e zhgënjyer nga Prokuroria, ja porositë që ka

Qeveria e zhgënjyer nga Prokuroria, ja porositë që ka

Qeveria shqiptare kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme të intensifikojë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të garantojë pavarësinë së institucionit ligj-zbatues.

Sipas kësaj MEMO që Ora Neës disponon qeveria ngre ende shqetësim faktin se sistemi gjyqësor vijon të perceptohet si i korruptuar dhe se në sistem vijon të ketë ende influencë politika.

“Ekzistojnë raporte të vazhdueshme për ndërhyrjen politike në çështjet e hetimit dhe të gjykatave. Kohëzgjatja e përgjithshme e procedimeve është shkak shqetësimi dhe lidhet kryesisht me mungesën e kapacitetit dhe papërshtatshmërisë së dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurave. Me qëllim përmbushjen e prioritetit kyç të reformës në sistemin e drejtësisë, gjatë vitit të ardhshëm, duhet të avancohet për implementimin e dispozitave të reja kushtetuese dhe legjislacionit të ri të lidhur me to”.

Në MEMO qeveria thekson se Prokuroria duhet të forcojë bashkëpunimin me institucionet e tjera ligj-zbatuese në ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit me zero tolerancë. Gjithashtu në MEMO shfaqet hapur pakënaqësia me punën e Prokurorisë në goditjen e krimit ekonomik.

“Krahas progresit të arritur me krijimin e një strukture anti-korrupsion dhe përpjekjes për krijimin e një track rekordi të hetimeve dhe dënimeve për çështjet penale të korrupsionit, sërish korrupsioni mbetet problem shqetësues. Hetimet financiare nuk kryhen sistematikisht dhe numri i rasteve të konfiskimit të pasurisë në rastet e korrupsionit është i ulët. Kjo pasi numri i aseteve të konfiskuara gjatë fazës fillestare është i ulët, duke sjellë për pasojë një numër të ulët asetesh të konfiskuara në kohën e dënimit përfundimtar”.

Edhe në luftën kundër krimit të organizuar qeveria shpreh kritika për institucionin ligj-zbatues, pasi sipas saj, Policia dhe Prokuroria kanë dështuar në zbulimin e rrjeteve kriminale dhe fenomenit të terrorizmit.

“Policia dhe prokuroria kanë dështuar në zbulimin e grupeve të organizuara që fshihen pas kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë me qëllim zbulimin efektiv të rrjeteve kriminale. Numri i të dënuarve për çështje të krimit të organizuar mbetet i ulët. Shqipëria është prekur nga fenomeni i terrorizmit. Ky fenomen ka nevojë për një përqasje të përbashkët nga shërbimet e inteligjencës, autoritetet ligj-zbatuese dhe institucionet e drejtësisë, duke u fokusuar dhe në mekanizmat parandalues, të cilat përfshijnë shoqërinë civile dhe komunitetet fetare”.

Edhe pse Ministrja e Drejtësisë ishte e ftuar të raportonte në Komisionin e ligjeve në lidhje me këto rekomandime, opozita bllokoi punimet. Deputetët e djathtë kërkuan një raport me shkrim nga Ministrja Gjonaj në lidhje me punën e ministrisë, kërkesë që u pranua edhe nga deputetët e mazhorancës.