PD protestë në Kurbin kundër ndotjes nga djegia e mbeturinave

Qindra qytetarë në Kurbin nën drejtimin e PD-së protestuan sot përpara bashkisë në Ditën e Verës kundër djegies së mbeturinave në kodrën e gjelbër të qytetit duke u kthyer në një rrezik të madh për jetën e tyre. Protesta nisi në sheshin qendror të qytetit të Laçit ku protestuesit kanë kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës që sipas tyre po i varfëron ata çdo ditë e më shumë.

Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi akuzoi qeverinë dhe pushtetin lokal se po vret qytetin e Laçit me djegien e mbeturinave duke e kthyer në një skemë të pastër korrupsioni për të ndarë paratë publike.

“Gjithë qyteti duhet të vuajë për shkak se dy persona ndajnë miliona. I gjithë qyteti duhet të bëjë analizat se rrezikohet nga kanceri i mushkërive për shkak të djegies së mbeturinave në kodrën e qytetit. Kjo rrezikon edhe ujin e pijshëm të Laçit. Për fat të keq qytetarët nuk kanë të sigurt as ajrin që thithin dhe as ujin që pinë, disa të tjerë ndajnë miliona.

Kjo është shumë e rëndë dhe në një shtet ligjor kjo nuk mund të ekzistojë. Duhet të kishte njerëz që duhet të përgjigjeshin penalisht për këtë çështje. Para disa vitesh ka pasur gjobë ndaj bashkisë së Kurbinit kur ishte dhe më e vogël për mostrajtimin e mbeturave, pra për djegien e tyre që çlirojnë gazra toksikë. Unë besoj se shëndeti i fëmijëve tuaj është shumë herë më i rëndësishëm se sa miliona e dy personave që ndajnë me njëri tjetrin”, tha Malltezi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *