PD dhe LSI nuk pranojnë ekspertët e Soros për ndryshimet kushtetuese

Ashtu siç ishte paralajmëruar, reforma në drejtësi vijon të ndajë palët politike. Dje u mblodh Komisioni parlamentar për Reformën në Drejtësi për të diskutuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias, por pavarësisht diskutimeve që zgjatën 4 orë, nuk u arrit në asnjë konkluzion se si do të vijojë më tej puna.

Përgjatë gjithë diskutimit pati debate dhe përplasje të forta, pasi socialistët kanë propozuar që ndryshimet e propozuara nga Komisioni i Venecias të reflektohen në draft nga ekspertët e nivelit të lartë, bashkë me ekspertët e partive politike. Por vijimi i punës nga ekspertët e Soros nuk u pranua aspak nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kërkuan që diskutimi të bëhet në komision. Deputeti Eduard Halimi, bashkë me demokratët Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi, deklaruan se tashmë u takon deputetëve të bien dakord për ndryshimet në fjalë.

“Duhet të vendosim sa më shpejt për miratimin e paketës kushtetuese, duhet para së gjithash të fillojmë një dialog politik për të diskutuar çështjet politike që na ndajnë. Kjo është mbledhja e katërt e këtij komisioni dhe ajo që kanë parë shqiptarët është që ne jemi bërë një komision korrierësh. Një draft e bëjmë ne, ia çojmë Venecias, ata neve, ne ekspertëve tanë, ju tuajve. Ne nuk mund të fshihemi pas ekspertëve”, tha Halimi. Në të njëjtën linjë me ta ishte dhe deputeti i LSI, Spartak Braho. Ai u shpreh se tani nevojitet tryezë politike për të gjetur konsensusin mes palëve. Braho deklaroi se pas përgjigjes së ardhur nga Komisioni i Venecias është tërësisht e mundur që të gjendet gjuha e përbashkët.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *