PD braktis seancën, Berisha: Rama promovon krimin, grabit pronat e shqiptarëve

Debate të ashpra janë zhvilluar në seancën e sotme parlamentare mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së.
Ndërkaq demokratët kanë braktisur seancën, ndërsa kanë akuzuar kryeministrin Rama se po promovon krimin dhe kriminelët dhe në bashkëpunim me ta po grabit pronat e shqiptarëve.

Ish-kryeministri Berisha tha se kjo situatë e bën të papranueshme për PD qëndrimin në Parlament.

“Kjo është një sfidë e hapur që ju i bëni qytetarëve, ligjit të vendit, transparencës dhe ekzistencës së këtij shteti. Nuk ka cinizëm më ekstrem sesa ju, që keni marrë për djalin tuaj lokomotivën dhe hekurudhën. Pas pasurive të vendit, kryesoni tani seancën. Nuk ka gjest më të pacipë të Edvin Ramës dhe më të papranueshëm për ne si opozitë. Ne u detyruam të braktisnim Parlamentin sepse ju sollët këtu njerëz që i kishin duart të lyera me gjak”, ka thënë Berisha.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka akuzuar direkt kryeministrin Edi Rama për “promovim të krimit” në politikë.

Gjithashtu, Paloka ka komentuar me ironi edhe deklaratat e pak ditëve më parë të ministrit Saimir Tahiri, që kritikonte gjykatat për lirimin e një të akuzuari për armëmbajtje pa leje.

“Ministri i Brendshëm foli për gjykatësin që kishte liruar një person për armëmbajtje dhe e shqetësonte pabarazia e madhe. Por nuk u shqetësua ky ministër kur një nga këto gjykata liroi një deputet të mazhorancës, i cili jo vetëm akuzohej për armëmbajtje pa leje, por edhe se kishte qëlluar ndaj disa personave. Kjo, sepse ishin ata (Tahiri dhe Rama) që i bënë presion gjykatës për ta liruar”, ka thënë Paloka.

Ai ka nënvizuar se, amendamenti i opozitës për dekriminalizimin lidhet pikërisht me këto raste, në mënyrë që zyrtarë e deputetë të inkriminuar të mos vazhdojnë të mbajnë poste zyrtare.

“Por Rama e ka dhënë urdhërin për këtë amendament që nuk do ta votojë. Kjo është evidente përse. Kjo qeveri nuk është e qytetarëve, por e prengëve dhe kokëdhimëve, prandaj këtyre nuk u shkon ndërmend të investojnë për qytetarët. Kjo është një çështje që nuk e zgjidh dot ky Parlament”, ka deklaruar Paloka.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *