Pas dorëheqjes së “teknikëve”, deputetët e PS kërkojnë largimin e ministrave të LSI

Pas dorëheqjes së “teknikëve”, deputetët e PS kërkojnë largimin e ministrave të LSI

Deputetët socialistë kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme largimin e ministrave teknikë të Partisë Demokratike, si dhe ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas dorëheqjes së teknikëve të Partisë Demokratike, ligjvënësit socialistë i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të largojë ministrat e LSI. Deputetët socialistë e cilësojnë jo normale dhe të pamoralshme qëndrimin në qeveri deri në fund, të ministrave të LSI. Kjo forcë politike e cila bashkëqeverisi me PS, në fushatë shprehu besimin se do të merrte në dorë drejtimin dhe fatet e vendit e vetme, pa asnjë forcë tjetër politike në koalicion.

Madje, LSI i vuri kusht Edi Ramës se do qëndronte në koalicion nëse kryeministri dy vitet e fundit t’i përkiste asaj. Por PS mori 74 mandate dhe nuk pati nevojë të bëjë koalicion me asnjë forcë tjetër politike. Në këto kushte, deputetët socialistë kërkojnë që ministrat e LSI të largohen për moral, meqenëse nuk i arritën pritshmëritë e tyre, që kjo parti të dilte forcë e parë pas 25 qershorit. Deputeti Bujar Çela tha se është në turpin e tyre që ministrat e LSI vijojnë të qëndrojnë në qeveri. “Ata duhet të ishin larguar që në datën 17 maj, por nuk janë aq burra. Lehin si qeni LSI forcë e parë; qeni nuk leh se është trim, por leh se kanë frikë se e hanë! Është në turpin e tyre që vijojnë të qëndrojnë në qeveri! Koalicioni me LSI nuk duhet të kishte nisur asnjëherë. Por ishte populli që na detyroi, dhe u bë! Tashmë populli e kuptoi që LSI s’duhet të rrinte në qeveri, ia dha timonin PS. Ata të paktën për moral duhet të largohen vetë”, tha deputeti Çela.

Krijimi i qeverisë së re

Deputetë të tjerë socialistë mendojnë se ministrat e LSI janë të larguar tashmë, pasi në shtator do të krijohet qeveria e re. Deputeti Sadri Abazi thotë se ndoshta për moral këta ministra duhet të kishin ikur së bashku me ata teknikët, por, gjithsesi, PS e ka marrë timonin dhe në shtator do të qeverisë pa LSI. Ai theksoi se populli ia dha votëbesimin PS dhe kjo forcë politike do qeverisë së bashku me qytetarët. Pra, i vetmi koalicion që PS do bëjë, është koalicioni me qytetarët, ku do dëgjojë dhe do mbajë shënim çdo hall dhe problem të tyre.

“Normalisht PS ia dha populli timonin. Dhe në shtator do krijohet qeveria e re me timonier kryeministrin Edi Rama. Pra si të largohen tani si në shtator, ata do largohen sepse do krijohet qeveria e re e PS. Mbase për moral mund të ishin larguar vetë, por gjithsesi e rëndësishme është që në shtator, PS e ka vetë timonin. Populli këtë mandat ia besoi PS, që ajo të qeverisë vetëm në aleancë me qytetarin”, tha Abazi. Ndërsa deputeti Andrea Mano tha se këta ministra do largohen kur të krijohet qeveria e re. “Ata do largohen kur të krijohet qeveria e re”, tha Mano. PS dhe LSI qeverisën së bashku për katër vite, por në dy vitet e fundit situata u bë shumë tensionuese. LSI nisi t’i vendosë kushte PS për të marrë sa më shumë pushtet. Por kryeministri Edi Rama, i bezdisur nga kjo sjellje e LSI, vendosi që të hyhej në zgjedhje pa koalicione. PS arriti të marrë 74 mandate dhe timonin e mori në dorë ashtu siç e kishte paralajmëruar vetë kryeministri Edi Rama. Në shtator pritet të krijohet qeveria e re me ministra të PS, por dëgjesat me qytetarët do të vazhdojnë./gazeta Sot.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *