Paloka: PD do të ketë një raport të kushtëzuar me Kuvendin

Paloka: PD do të ketë një raport të kushtëzuar me Kuvendin

Partia Demokratike do të ketë një raport të kushtëzuar me Kuvendin. Kështu u shpreh në një prononcim për mediat nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, njëherëz edhe nënkryetar i PD-së. Paloka tha se vendimet për pjesëmarrje në Komisione dhe seancë të deputetëve të opozitës do të merren nga grupi parlamentar para çdo seance.

“Do jetë qëndrim i kushtëzuar me parlamentin dhe hapat do të jenë njëri pas tjetrit, vendimet për pjesëmarrjet apo jo në komisione do të merren nga grupi para çdo seancë. Vendimet tona do lidhen jo vetëm për një Reformë të vërtetë në Drejtësi, por dhe me qëndrimet e mazhorancës, dhe nga ana tjetër të shohim që ato shkelen”, tha Paloka.

Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, demokratët kërkuan dorëheqjen e Gramoz Ruçit nga posti i kryeparlamentarit, duke e lidhur këtë me shkeljet kushtetuese në seancën e 18 dhjetorit ku edhe u zgjodh dhe u betua Arta Marku në postin e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme.

Por ky tension mes palëve po fut në një tjetër ngërç Reformën në Drejtësi, pasi Kushtetuta në pikën 7 të nenit 149 përcakton që organi i cili do të duhet të hartojë listën finale që do t’i përcjellë parlamentit për KLGJ –në dhe KLP –në është nënkomisioni që duhet te ngrihet nga Kuvendi me pesë anëtarë.

Për t’u votuar në seancë kjo listë duhet të marrë më parë mbështetjen e të katër prej pesë anëtarëve që ka ky nënkomision.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe gjyqësorit mban njëherazi peng edhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.