Nikolla: Më çoni në kokërr të burgut nëse kam shkelur ligjin

Nikolla: Më çoni në kokërr të burgut nëse kam shkelur ligjin

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte e pranishme sot në komisionin parlamentar për Informimin Publik dhe Medias për të dhënë sqarime në lidhje me implementimin e ligjit për arsimin e lartë.

Gjatë debatit me kryetaren e Komisionit, deputeten e PD-së, Albana Vokshi, e cila i kërkoi dorëheqjen Nikollës për shkak se dështoi me ligjin në fjalë, ministrja e Arsimit tha se nuk e ka shkelur ligjin.

“Jo nuk e kam shkelur ligjin. Nëse ju gjykoni që është shkelur ligji drejtohuni organeve të drejtësisë dhe unë përgjigjen, më çoni në kokërr të burgut. Edhe mbylleni këtë histori”, tha Nikolla.

Ndërsa kryetarja e Komisionit, Vokshi, i ka kujtuar ministres së Arsimit se shkelja e ligjit ka të bëjë me mos nxjerrjen e 11 akteve nënligjore në zbatim të ligjit për Arsimin e Lartë, duke e çuar sistemin në kolaps.

“Ligji nuk është i shkruar në gur, por ajo që është përgjigja e kësaj mazhorance është edhe përgjigja e të gjithë stafeve të universiteteve, që nuk thonë këtë që ju thatë, që sistemi është në kolaps”, tha Nikolla.

“Ju vetë vendosët që afati të jetë 9 mujor, që e kishit vetë në dorë ta vinit 1 vit, 2 vjet etj, t’i jepnit kohë vetes. Përderisa ju nuk po i arrini dot ritmet që ja vutë vetes jepni dorëheqjen. Hapini rrugën dikujt që është më i aftë”, tha Vokshi.