Lubonja: Drejtësia është selektive, vendimi i SHBA për Llallën vjen erë të keqe

Lubonja: Drejtësia është selektive, vendimi i SHBA për Llallën vjen erë të keqe

Anilisti Fatos Lubonja tha se rasti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ka pas një anomali që ne nuk duam ta shikojmë, sepse po e thanë amerikanët është e padiskutueshme.

“Tek ky vetingu ka një gjë, nëse një njeri ka bërë një krim, për shembull korrupsion, pse na duhet ne një veting për të zbuluar nëse Llalla është i korruptuar. Edhe Xhafa thotë veting për policët, po si qenka kjo punë, bëj krime ti dhe shko në shtëpi, ai duhet të dënohet. Lidhur me Llallën ka një çështje, po ta marrim konkretisht. Amerikanët ose kanë prova nga shërbimet e tyre, dhe po patën atëherë duhet të ketë tjetër listë. Sepse nuk qenka Llalla vetëm peshku i madh. Në qoftë se shërbimet amerikanë qenkan përqendruar vetëm tek Llalla, ka diçka që nuk shkon. Se kemi kryeministra, ish kryeministra, presidentë e ku di unë.

Ose është ajo tjetra një arsye politike. Pra se ka penguar reformën në drejtësi. Po pse more do më heqë njeri mua vizën se nuk besoj tek reforma në drejtësi. Është një gjë që mban erë të keqe. Deri tek inatet personale që u fol, është fyese”, tha Lubonja, i pranishëm në studion e News 24.

Analisti ka deklaruar se në vend ka filluar të funksionojë një lloj propagande politike e drejtësisë, njëkohësisht edhe një sulm ndaj kundërshtarëve politikë.

“Unë kështu e shikoj gjithë këtë atmosferë. Sepse vijmë tek pyetja është më mirë një drejtësi selektive apo pa drejtësi fare?

Drejtësia e vërtetë që i ka të gjithë të barabartë është tjetër gjë. Në këtë aspekt nuk shoh këtë lloj drejtësie, është qartazi selektiviteti. Këtu duhet të llogariten fitimet dhe kostot. Pse nuk hetohen edhe oligarkët?

Në qoftë se një krim ka një dërgues, por ka edhe një killer, ti nuk mund të thuash fajin e ka killeri. Drejtësia duhet t’i kapë të gjithë. Unë nuk kam hall të futet X apo Y në burg, por të marrë fund ky sistem ku njerëzit kapin shtetin, vjedhin shtetin, sponsorizojnë partitë, sponsorizojnë politikanët dhe u japin para. Unë nuk e mas thjeshtë si përgjegjësi e politikanit. Unë e kam hallin që këta njerëz që kanë ndërtuar sistemin po qëndruan atje nuk ka rëndësi se hyri ky ministër apo ai ministër sepse ata kapin atë që vjen. Ky është halli”, tha Lubonja.