Llalla i kërkon Donald Lu-së listën me emrat e gjyqtarëve të korruptuar

Gjyqtarët që janë futur në listën e zezë të amerikanëve, nuk do të përfundojnë vetëm me refuzimin e vizave, pasi shumë shpejt pritet të nisë një hetim intensiv ndaj tyre.

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka mbështetur vendimin e ambasadës amerikane për të mos lejuar asnjë gjyqtar të korruptuar që të shkelë në SHBA, teksa ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion lista me të gjithë emrat dhe ka paralajmëruar se do të ketë hetime për të gjithë gjyqtarët e dyshuar nga amerikanët.

Një gjë e tillë është bërë e ditur për “TCH” nga zyra e shtypit e kryeprokurorit, zëdhënësi i të cilit është shprehur se organi i akuzës është i hapur për çdo veprim të ambasadës amerikane.

“Prokuroria vlerëson çdo informacion për korrupsion në drejtësi dhe më gjerë, që mbërrijnë nga burime të besueshme. Ambasada amerikane është një ndër partnerët më të ngushtë të Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, ndaj dhe informacionet e saj për vepra të ndryshme penale kanë shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve konkrete”, ka thënë Albi Serani, këshilltar i Prokurorit të Përgjithshëm.

Deklarata nga Prokuroria e Përgjithshme vjen pas atyre të bëra nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve, të cilët përshëndetën veprimet e ambasadës amerikane, por deklaruan se duhet t’u vihet në dispozicion lista e gjyqtarëve me qëllim marrjen e masave. Bëhet fjalë për një listë me rreth 14 gjyqtarë, dhe dyshohet se janë emrat e atyre që janë kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky institucion ka kallëzuar edhe shumë deputetë dhe zyrtarë të tjerë dhe duket se edhe ata do të jenë pjesë e listës së zezë dhe nuk do mund të marrin viza për të shkelur në SHBA. Tashmë të gjitha autoritetet janë në pritje të zbulimit të listës, e cila do i hapte rrugë luftës ndaj korrupsionit mes togave të zeza.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *