Kufiri detar, marrëveshja me Greqinë mund të finalozohet këtë javë në Rodos

Kufiri detar, marrëveshja me Greqinë mund të finalozohet këtë javë në Rodos

Marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë pritet të finalizohet këtë javë në Rodos të Greqisë.

Televizioni Klan ka mësuar se të enjten e 21 Qershorit, 2 ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias do të takohen në Rodos, ndërsa paralelisht me këtë takim në Athinë do të zhvillohet dhe raundi i 3 i negociatave mes 2 grupeve.

2 takimet konfirmohen dhe nga vete ministri i Jashtëm, i cili po ashtu lë të kuptohet finalizimin e marrëveshjes.

“Besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje.”

Faktin se palët janë afër një dokumenti final e dëshmon dhe takimi i kryeministrit Rama me presidentin Meta javën e shkuar, takim në të cilin mësohet se është diskutuar për lëshimin e autorizimit të dytë nga ana e kreut të shtetit, kësaj here për nënshkrimin e marrëveshjes mes dy kryeministrave. Meta kërkoi informacione serioze për marrëveshjen, ka sipas ministrit të Jashtëm, nuk kanë munguar.

“Është krejt normale që Presidenti të kërkojë informacione më shteruese për çështje që mendohet që kërkohet një informacion më i plotë. Ka një komunikim institucional dhe njerëzor me presidentit e Republikës për këtë çështje.”

Bushati këmbëngul se pala greke nuk e ka kushtëzuar në asnjë moment votën pro çeljes së negociatave me marrëveshjen e detit.

“Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 29 apo 29 e kanë thjesht gabim.”

Presidenti i Republikës shprehu si shqetësim për sa u përket negociatave edhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi me përbërjen aktuale me vetëm dy anëtarë, kjo gjykate s’mund të shqyrtoje asnjë ankese për marrëveshjen, nëse do të ketë një të tillë. Megjithatë, duket se kjo nuk do t’i pengojë palët që ta finalizojnë atë./tv Klan