Kreshnik Spahiu zbardh bisedën me Blushin: Rama më është lutur për një kafe

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka sqaruar takimin me Ben Blushin, takim i cili u lexua si një aleancë e re kundër Edi Ramës. Spahiu shprehu habinë se pse Ramës i kishte bërë përshtypje takimi i tij me Blushin, ndërsa shtoi se Rama i është lutur për të pirë kafe.

“Është sjellë në këto momente për të goditur Ben Blushin. Dhe më vjen keq që është përdorur një kafe për këtë gjë, ndiej vërtetë keqardhje për këtë gjë. Por është me të vërtetë e çuditshme se si në Partinë Socialiste është konsideruar krim një kafe me Kreshnik Spahiun. Por mirë pyetja lind, kur Edi Rama rinte në radhë për të pirë kafe me mua dhe më lutej a e pimë tek Sheratoni, s’më linte kurrë edhe për ta paguar, pse nuk ishte krim që të pije kafe me Kreshnik Spahiun”, ka theksuar Spahiu.

Kryetari i AK ka shtuar se me Blushin njihej prej 20 vitesh. “Çështja është e kujt takimi, se unë takimin e parë e kam pas me Ben Blushin në vitin 1990, para 20 vjetësh dhe e kam shumë të vështirë tani të mendoj të gjitha takimet dhe kafet që kam pirë me Ben Blushin, ku i kam pirë, si i kam pirë dhe për çfarë kemi diskutuar. Ajo që mund të them është se Ben Blushi nuk është një kryetar partie që unë mund të ulem dhe të bëj një marrëveshje politike. Unë jam kryetar i një force politike që negociatat, marrëveshjet mund t’i bëj vetëm me drejtues të subjekteve politike, jo me individë. Sigurisht që unë mendoj që Ben Blushi mbetet një vlerë shoqërore, sociale, politike, është kënaqësi ta kesh mik”, ka deklaruar Spahiu.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *